MENU
klinika

Përplasja për “dekretin e Cakajt”/ Si ndahen kompetencat mes Ramës e Metës?

Prapaskenat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë Presidentit

26.05.2021 - 14:12

Konstitucionalistja e njohur Aurela Anastasi shprehet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit në emërimin e ministrave do të ketë një rëndësi të madhe dhe për formimin e qeverisë së re.

E pyetur nga “Panorama.al”, në lidhje me dispozitivin e këtij vendimi, zonja Anastasi shprehet se “nuk mund të themi kurrsesi që këto institucione kanë kompetenca të barabarta”

Në dispozitivin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se është pushuar gjykimi për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës. Si mund ta kuptojmë këtë vendim?

Në radhë të parë jemi duke diskutuar mbi bazën e dispozitivit të vendimit, pasi ende nuk kemi arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, paraprakisht, mund të them se Gjykata ka vendosur pushimin e gjykimit për pjesën e parë të objektit të kërkesës së Kryeministrit: “Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës”; Kjo do të thotë se as në dispozitivin e vendimit dhe as në arsyetimin e tij nuk presim që Gjykata të jetë shprehur konkretisht në lidhje me konfliktin institucional për emërimin e ministrit të Jashtëm.

Shkakun që e ka çuar Gjykatën në këtë vendim, do ta shohim në pjesën arsyetuese të vendimit. Sidoqoftë, mendoj se ka shërbyer fakti që ky konflikt nuk ekziston më, është tejkaluar në kohë dhe aktualisht në detyrë është emëruar një ministër tjetër. Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesën e dytë të kërkesës së Kryeministrit: interpretimi përfundimtar i nenit 98, pika 1 i Kushtetutës.

Ky nen vendos se: “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Gjykata kryen këtë interpretim me qëllim që në të ardhmen, organet kushtetuese që marrin pjesë në emërimin e ministrit të interpretojnë Kushtetutën ashtu sikurse Gjykata e ka interpretuar atë. Kjo pjesë do të ketë shumë rëndësi edhe për formimin e qeverisë së re në shtatorin e këtij viti. Nga dispozitivi që është shpallur, mund të kuptojmë pak. Kështu, mendoj që të presim edhe vendimin e arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese për të folur më tej.

Gjykata Kushtetuese shprehet se “në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve”. Kjo duhet kuptuar se Presidenti nuk është thjesht një noter që duhet të dekretojë propozimet e Kryeministrit?

Për parimin e luajalitetit kushtetues, Gjykata Kushtetuese është shprehur edhe në vendime të tjera, kur ka qenë fjala për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave. Ajo e ka shprehur në një vendim të vitit 2005, kur shqyrtoi kompetencat e Presidentit të Republikës në raport me Kuvendin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Ky parim duhet të përshkojë institucionet në kuadrin e bashkëpunimit për ushtrimin e kompetencave, përmes respektit të ndërsjellë. Mjaft i rëndësishëm është edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Por ndryshe nga rasti i shqyrtuar në vitin 2005, në këtë rast konflikti ka lindur midis Kryeministrit si pjesë e ekzekutivit dhe Presidentit të Republikës, si përfaqësues i unitetit të popullit. Prandaj, mendoj se Gjykata në arsyetimin e vendimit do të sjellë vlera të shtuara në lidhje me respektimin e këtyre parimeve, tej atyre që është shprehur për konfliktet e krijuara midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit si organi më i lartë ligjvënës.

Në këtë aspekt, ajo duhet të shprehet për vendin kushtetues të këtyre dy institucioneve, për të cilën doktrina shqiptare ka dhënë mendimin e saj edhe më parë. Në fakt, nga dispozitivi që lexojmë, mund të themi se Gjykata Kushtetuese ka abstraguar nga mosmarrëveshja konkrete, duke interpretuar balancën jo vetëm midis Kryeministrit e Presidentit, por midis të tria institucioneve që marrin pjesë në emërimin e ministrit, pra, përfshirë edhe Kuvendin.

“Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”, thotë Gjykata Kushtetuese, duke lënë të kuptohet që kompetencat e tri institucioneve janë të barabarta në këtë proces.

Për sa më sipër, nuk mund të themi kurrsesi që këto institucione kanë kompetenca të barabarta. Në këtë aspekt është e rëndësishme thënia “…secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese…”, që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur në dispozitivin e vendimit.

Që tani kanë filluar deklaratat politike për fitore të njërës palë apo tjetrës nga ana Kushtetuese. Çfarë përbën dhe tregon ky dispozitiv i Gjykatës Kushtetuese?

Dispozitivi i vendimit do të jetë ky që Gjykata ka shpallur sot. Nga arsyetimi i vendimit presim që secili prej tri institucioneve të ketë më të qartë rolin e vet dhe raportin me dy institucionet e tjera. Sidoqoftë, nga vendimi i plotë i arsyetuar mund të arrijmë edhe në konkluzione se cili prej institucioneve që kanë qenë në konflikt ka fituar ose ka humbur./Panorama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN