Bashkia e Tiranës i bën apel Presidentit Ilir Meta që të mos pengojë futjen e banorëve të prekur nga tërmeti në Zall Herr në shtëpitë e tyre të reja.
Përmes një deklarate për mediat, Bashkia thotë se aktet e Presidentit minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019.
“Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Presidenti i Republikës vijon të nxisë, sipas një plani të përcaktuar, shërbëtorë të partisë së tij, për të penguar dhe prishur procesin e rindërtimit në Zall-Herr, duke vonuar me dashje, edhe më tej, futjen në shtëpitë e reja të banorëve të zonës, të cilët po presin me padurim të marrin banesat e tyre. Aktet e fundit të Presidentit të Republikës minojnë qëllimisht një proces për të cilin, si Qeveria, edhe Bashkia e Tiranës, po e çojnë përpara me sukses, për të strehuar secilën nga familjet e prekura nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019. Yshtja e militantëve të LSI-së, që hiqen gjoja si banorë të zonës, për t’i siguruar Presidentit postimin dhe lajmet e radhës në portale, është e turpshme, kriminale dhe duhet të ndiqet nga organet hetimore”, thuhet në reagimin e Bashkisë.
Më tej, Bashkia e Tiranës nënvizon se familjet e Zall Herrit, të prekura nga tërmeti, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, njësoj si banorët e Ndroqit apo Vaqarrit.
“Një President, i cili i ka pajisur vilat e tij me nga 9 banjo për macen, por s’ka marrë mundimin të ndërtojë qoftë edhe një shtëpi për një familje nga Zall-Herri, nuk ka asnjë të drejtë të bllokojë dhe pengojë punën për rindërtimin e shtëpive të familjeve të prekura nga tërmeti. Shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre për këtë President në 25 prill, ndaj s’është nevoja dhe nuk do të lejohet që ky të hakmerret ndaj tyre duke u penguar ndërtimin e shtëpive”, theksohet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.