MENU
klinika

Zgjedhjet

Ruçi pret në takim ambasadorin e OSBE, Del Monaco: Do ju mbështesim…

27.05.2021 - 14:23

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti në takim Shefin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco. Në fokus të bisedës ishte bashkëpunimi i frytshëm i deritanishëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Kryetari i Kuvendit e vlerësoi punën e mirë që Prezenca ka bërë ndër vite në mbështetje të reformave gjithëpërfshirëse të Shqipërisë dhe të axhendës për modernizimin e vendit, në përputhje me mandatin e Prezencës dhe nevojat e përparësitë e zhvillimit vendit. Në veçanti, Ruçi shprehu mirënjohje për bashkëpunimin me Kuvendin për reformat në drejtësi, modernizimin e administratës publike, bashkëpunimin rajonal, barazinë gjinore, mbështetjen e të rinjve, si dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, siç është projekti PACEP, zbatues të të cilit janë Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI).

Ambasadori Del Monaco e falenderoi Ruçin për mundësinë e takimit, dhe u shpreh se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila ndër vite ka qenë ndër partnerët më të afërt të Kuvendit të Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, do të vijojë të mbetet një mbështetëse e fortë e institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë në përpjekjet për të ndërtuar një demokraci funksionale.

Gjithashtu, Ambasadori Del Monaco shprehu gatishmërinë që Prezenca e OSBE-së në Tiranë të mbështese institucionet shqiptare per realizimin e rekomandimeve që do të përmbajë raporti perfundimtar i OSBE/ODHIR për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 prill 2021.