Mafiozi Sedat Peker shkaktoi një valë të madhe reagimesh në rrjetet sociale me mesazhet e tij. Shtatë video të tij në YouTube – e secila prej tyre u bë virale dhe ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi. Në videot e tij ai akuzon rëndë politikanë të njohur të partisë në pushtet. Ai thotë se politikanët janë të përfshirë në vrasje, përdhunime, kontrabandë droge, abuzim të pushtetit dhe shumë aktivitete të tjera kriminale. Në të njëjtën kohë, sipas Peker, qeveria turke e ka mbrojtur ate nga ndjekja penale për vite me radhë – ai thotë se ka pasur madje edhe mbrojtje policore nga qeveria.
Në video-mesazhet e tij, Peker ka vënë në shënjestër në veçanti ministrin e Brendshëm, Suleyman Soylu. Ai thotë se vetë ministri e kishte paralajmëruar kur janë nisur hetimet kundër tij. Kjo ishte arsyeja e vetme që ai ka mundur të ikë nga Turqia në vitin 2020 dhe të strehohet në Dubai, thotë Peker në një video. Për shkak se kundër tij deri tani nuk ka filluar asnjë hetim gjyqësor, deri tani nuk është e qartë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo. E qartë është vetëm se pozita e Suleyman Soylu po dobësohet shumë – opozita po kërkon me forcë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.
49-vjeçari Sedat Peker ishte i njohur për publikun turk për një kohë të gjatë. Ai konsiderohet si një prej më të mëdhenjve në botën e krimit turk, iu desh të përgjigjej në gjykatë disa herë për vrasje, vrasje në tentativë dhe rrëmbim dhe u dënua për “krijimin e një organizate kriminale”.
Heshjta e Erdoganit
Paraqitjet e tij në YouTube do të thonë një dëmtim tjetër i imazhit të Recep Tayyip Erdogan. Për një kohë të gjatë, presidenti turk Erdogan ka heshtur në lidhje me deklaratat e Peker. Ai është pozicionuar vetëm pasi u detyrua të reagojë. “Na mbush me trishtim të shohim se në vendin tonë ka njerëz të mjerë dhe të padenjë, që mbështeten nga bandat mafioze. Organizatat terroriste dhe bandat kriminale janë i njëjti lloj gjarpri helmues”, theksoi presidenti pas një mbledhje të kabinetit qeveritar këtë javë.
Politologu, Ibrahim Uslu nga Qendra e Ankarasë për Studime Sociale (ANAR) mendon se deklarata e Erdoganit erdhi tepër vonë. “Nëse një person i ikur shpif dhe fyen qeverinë, partia në pushtet AKP duhet të veprojë menjëherë dhe të krijojë një komision parlamentar për hetim”, tha Uslu. Sipas mendimit të tij, e gjithë afera ishe një fiasko e plotë për qeverinë, në një moment kur edhe besimi ndaj gjyqësorit dhe shtetit ka rënë. “AKP është dashur menjëherë të ndërmarrë veprime të vendosura kundër organizatave kriminale.”
AKP në krizë?
Vëzhguesit thonë se pohimet e Pekerit kanë ulur edhe më shumë imazhin edhe ashtu në rënie të partisë në pushtet AKP. Sipas një sondazhi nga instituti turk Metropoll, AKP ka rënë në vetëm 27 përqind – që është një ulje prej 33 përqind krahasuar me zgjedhjet e fundit në qershor 2018. Në një sondazh tjetër thuhet se edhe vetë presidenti Erdogan ka shënuar kohët e fundit një rënie të madhe të popullaritetit. Erdogani tani ka një mbështetje prej vetëm 40 përqind, që e rendit atë vetëm në vendin e katërt – prapa kryetarëve të bashkive të Ankarasë dhe Stambollit, të cilët i përkasin partisë opozitare CHP, si dhe udhëheqësit të partisë opozitare IYI, Meral Aksener.
Rënia në sondazhe është kryesisht për shkak të krizës ekonomike dhe kushteve të këqija të pandemisë, shpjegon Usbrahim Uslu. “Polemikat e Pekerit mund të mos kenë ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e sondazhit. Por në plan më afatgjatë, këto kritika do ta shkatërrojnë besimin ndaj qeverisë”, tha Uslu. Studiuesi i politikës, Baris Doster nga Universiteti Marmara në Stamboll, mendon se videot do të kenë një efekt të menjëhershëm. “Do të ketë një kolaps të AKP në sondazhe. Do të ishte mrekulli, nëse qeveria ia del të zgjohet nga gjumi”. Sepse kritikat e Peker i shkojnë shumë në favor opozitës”, thotë Doster.
Mafia dhe politika – në bashkëveprim?
Fikri Saglar, deputet i partisë më të madhe opozitare CHP, thekson se rasti i Peker nuk është rast i izoluar, por më shumë tregon një problem themelor në Turqi. “Qeveria kurrë nuk arriti të distancohej nga mafia (…) Sot mafia gjendet shumë afër qeverisë. Fakti që qeveria dhe mafia janë shumë afër mes tyre, e bëjnë të qartë edhe video-mesazhet e Pekerit”.
Zbulimet e kumbarës mafioz, Peker zgjojnë kujtimet e një kapitulli të errët në historinë turke. Qysh në vitet 1990 flitej për një afërsi dhe bashkëveprime të shumta midis zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe botës së krimit. Besohet se vrasjet politike ose rastet e zhdukjes së njerëzve janë, siç dyshohet, rezultat i makinacioneve të organizatave kriminale dhe qarqeve qeveritare. Por prova konkrete për lidhjet me qarqet qeveritare kanë qenë shumë të rralla – ndërsa shtypi turk i përshkruan këto raporte si një rrjet i paqartë dhe i thellë.
A po afrohet qeveria me krimin?
Në të kaluarën e afërt ka ndodhur shpesh që personalitete mafioze, kryesisht nga qarqet ekstremiste të djathta, të paraqiten në shoqërinë e përfaqësuesve të lartë të qeverisë. Në prill të vitit 2020, bosi i mafies ekstremiste të krahut të djathtë, Alaattin Cakici u lirua së bashku me rreth 90.000 të burgosur të tjerë, si rezultat i një ligji për amnisti në lidhje me pandeminë COVID.
E gazetarë të shumtë, anëtarë të opozitës ose të burgosur të sëmurë mbetën në burg. Pas lirimit të Cakici, pati një takim të diskutueshëm të tij me politikanin qeveritar Devlet Bahceli, partnerin e vogël të Erdoganit në qeveri dhe kryetar i partisë ultranacionaliste MHP – të dy konsiderohen mbështetës të lëvizjes ekstremiste të krahut të djathtë “Ujqërit Gri” dhe janë politikisht të afërt./dw