Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit dhe më pas vendimi i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së ka shkaktuar mjaft tension në selinë e Partisë Demokratike.
Kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani, ka akuzuar vazhdimisht kryedemokratin Lulzim Basha si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve, ndërsa dy ditë më parë në emisionin “Frontline” në “News 24” adresoi të tjera akuza ndaj Bashës.
Sipas Nishanit, Basha ka qenë në dijeni të vendimit që do të merrte Departamenti Amerikan i Shtetit, ndaj edhe afroi datën e zgjedhjeve, nga korriku, kur e parashikonte statuti i PD-së, në 13 qershor. Kjo akuzë e tij mund të konsiderohet se pati një konfirmim nga ana e ish-kryetarit të PD-së Sali Berisha.
Ky i fundit në emisionin “Politikon” u shpreh se ishte shprehur i habitur nga vendimi për afrimin e zgjedhjeve brenda PD-së në një kohë që priste denoncimin e “masakrës zgjedhore”.
Pas kësaj deklarate, kreu i PD-së, Lulzuim Basha, reagoi duke e akuzuar ish-Presidentin Nishani për shpifje. Sipas Bashës, Nishani kishte kaluar çdo limit për mllefet e tij personale, ndërsa shtoi se ngjarja me Berishën ka prekur të gjithë Partinë Demokratike.
Kjo deklaratë e Bashës duket se është një fillim i akuzave mes Bashës dhe Nishanit, pasi ky i fundit në emisionin “Spotlight” ditën e djeshme e sfidoi Bashën duke thënë se nëse është burrë dhe lider, të dalë e të thotë nëse është imponuar ndonjëherë nga Berisha për vendimmarrjet.
Madje Nishani argumentoi bindjen e tij se Basha kishte informacion se Berisha do të shpallej “non grata”.
PËRPLASJA NISHANI NË “FRONTLINE”, “NEWS 24”
“Në këtë histori personale me Berishën, unë mund të dëshmoj në çdo kohë se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe s’kam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit. Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cenojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. S’kam droje fare. S’kam ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PDsë. S’e mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD-së dhe për të ka ndjeshmëri”.
BERISHA NË “POLITIKON”, “ORA NEWS”
“Ato që thotë Nishani, për të cilin kam respekt si bashkëpunëtor, përveç fjalëve në ajër nuk kam të dhëna konkrete. Lulzim Basha nuk ka ndikuar në këtë proces nuk e besoj. Ai shpalli fush atën zgjedhore. Unë kam pasur një ligj, që kjo situatë më bën që të heq dorë, sepse nuk jam ai që kam qenë. Unë do të isha shprehur më parë. Unë kam mbetur i habitur nga votimi unanim për të filluar fushatën zgjedhore në parti. Detyra më kryesore për mua absolute ishte faktimi i batërdisë elektorale para shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Po ashtu, edhe një analizë serioze të PD-së. Një vendim që e votoi Këshilli Kombëtar, edhe ata që kërkonin dorëheqjen e Bashës, unë vendosa që të hesht se ishte një vendim unanim”.
LULZIM BASHA (“FACEBOOK”)
“E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit. Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën, por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta u shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj”.
BUJAR NISHANI NË “SPOTLIGHT”, “VIZION PLUS”
“Ka 8 vite që në debate adresohet çështja e imponimit të fuqisë së Berishës mbi Lulzim Bashën. Përgjatë këtyre 8 vite Basha nuk e përgënjeshtron. Basha e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi bazën e hileve.
Nëse Basha do të ishte burrë dhe lider, do të dilte dhe të mbante një qëndrim. Të thoshte: Unë kam probleme se s’më lë Sali Berisha që të ushtroj mandatin tim prej kryetari. Ose të dilte e të thoshte se në vendimin X, Y janë të gjitha vendimet e mia personale dhe s’keni punë me z. Berisha. Lulzim Basha se ka përgënjeshtruar kurrë. Sepse ka dashur që këtë përgjegjësi të dështimeve ta ndajë me Berishën. Kam bindjen më të plotë se Basha e dinte se Berisha do të shpallej “non grata”. Ai thirri menjëherë Këshillin Kombëtar.
Së dyti, vendosi datën e zgjedhjeve pa mbaruar hetimi i zgjedhjeve. Bëri garën pa pritur rezultatin përfundimtar. Vendimi për Berishën është një vendim që ka shkaktuar një traumë të fortë psiko-logjike brenda radhëve të PD-së. Ne e pranojmë që autoriteti i Berishës te PD-ja është i fortë. Në këtë kontekst, aktualisht vëmendja nuk është te procesi zgjedhor i brendshëm ku po bëhet garë pa garë, por te kjo çështje. Kjo është përllogaritja që ka bërë Basha për turpin e tij”.