Parlamenti do të mblidhet në seancë plenare të mërkurën në 9 qershor, për të votuar raportin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Vendimin e mori sot Konferenca e Kryetarëve.
Ditën e premte, Komisioni Hetimor miratoi raportin e përpiluar me shkeljet e kryera nga kreu i shtetit.
49 deputetë të Partisë Socialiste kërkojnë shkarkimin e Presidentit Meta për shkelje të Kushtetutës gjatë fushatës zgjedhore.
Për të shkarkuar kreun e shtetit,maxhoranca, sipas nenit 88 të Kushtetutës, duhet të marrë jo me pak se 94 vota ose 2/ 3 e të gjithë deputetëve.
Nëse Kuvendi voton pro shkarkimit të Presidentit Meta, përfundimisht është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos nëse gjetjet e Parlamentit, për shkelje të Kushtetues nga Ilir Meta, janë të bazuara apo jo.
NJOFTIMI I KUVENDIT
Konferenca e Kryetarëve caktoi datën e votimit të kërkesës për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës
Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca vendosi që seanca plenare për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, të zhvillohet në datën 9 qershor, ditën e mërkurë, në orën 10:00.