MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si ndikojnë në shëndet zhurmat?

01.06.2021 - 10:06

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si ndikojnë në shëndet zhurmat?

Mjeku: U ndodh të gjithëve të dalin nga shtëpia të qetë për të vajtur në punë apo shkollë dhe kur mbërrijnë atje, e ndiejnë veten tepër të acaruar. Boritë e makinave që bien vend e pa vend (sidomos kur ndonjë shofer autobusi tregohet “bujar” me zhurmën e borisë së tij), trafiku i rënduar etj. ushtojnë në kokë ndërsa ecim, duke na bërë që mbërritja në destinacion të jetë më tepër se e lodhshme.

Në fakt, ndotja akustike (apo e thënë në gjuhën e përditshme: zhurmat) është një ndër shumë problemet që ende nuk kanë gjetur zgjidhje në vendin tonë. Madje edhe në mbrëmje kur çdo gjë duket se ndalon, zhurmat mbesin. Për të dhëna zyrtare lidhur me nivelin e ndotjes akustike nuk mund të flasim. Kjo për faktin se institucioni përgjegjës për nxjerrjen e të dhënave përkatëse ka reshtur së bëri këtë gjë në dy vitet e fundit. Kërkesa nga gazeta “Shëndet+” lidhur me faktin pse ky studim nuk është bërë vitin e fundit, nuk ka marrë asnjë përgjigje, pavarësisht këmbënguljes

Por duke iu referuar raportit të fundit të bërë publik në vitin 2011, ndotja akustike në vendin tonë është shumë herë më e lartë se ajo e vendeve të tjera jo vetëm Evropë, por edhe në rajon, duke e tejkaluar kështu edhe kufirin e vënë nga ligji shqiptar.

Dhe si çdo gjë tjetër që në masë të tepruar të dëmton, edhe zhurmat kanë pasojat e tyre të rënda në shëndet. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +” mjeku otorinolog Xhevahir Hoxhallari, shpjegon dy efektet kryesore negative që sjellin këto zhurma.

Zhurmat janë të karaktereve të ndryshme dhe na shoqërojnë kudo: në shtëpi, në punë, në rrugë. Në përgjithësi zhurmat kanë dy efekte të rëndësishme që japin ndikim në organizëm. E para, është dëmtimi që ka të bëjë me dëgjimin. Zhurmat e forta mund të sjellin probleme në dëgjim si ulje të nivelit të dëgjimit, dobësim të nervit të dëgjimit apo dëmtim të veshit të brendshëm.

Zhurmat nën 50 decibel nuk mund të thuash që japin dëmtime. Kur këto zhurma kalojnë mbi 50-60 decibel, atëherë rritet edhe mundësia për të pësuar dëmtime në dëgjim. Zhurmat mbi 50 decibel janë zakonisht zhurma që mund t’i gjesh në ambientet e punës, si: në zdrukthëtari, gjatë punës me makineri, në fabrika, uzina dhe sidomos në kohët e sotme zhurmat e larta të ambienteve të argëtimit, të cilat mund të shkojnë mbi 70-80 decibel.

Këto janë zhurma që kalojnë pragun e dhembjes, pra mund të shkaktojnë dhembje në vesh. Jo në pak raste ndodh që të çojnë në një shurdhim të plotë. Këto janë defekte që rrallëherë mund të qëllojë që t’i rikuperosh.

Qëndrimi në zhurma për kohë të gjata, pavarësisht se mund të mos jenë të një intensiteti shumë të lartë, siç mund të jenë zhurmat përshembull e ambienteve argëtuese, por që luhaten midis 60 decibelëve e dëmton dëgjimin duke dhënë dalëngadalë një ulje graduale të dëgjimit, e cila bëhet evidente pas 10 -15 vjetësh. Duke qenë një proces i cili ndodh ngadalë, në përgjithësi njerëzit ambientohen me zhurmën dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë arsyen pse dëgjimi ka ardhur duke rënë me kalimin e viteve”.

Depresioni

Por ulja e dëgjimit apo shurdhimi nuk është efekti i vetëm negativ që shkaktojnë zhurmat e përditshme të cilave u nënshtrohemi. Efekti i dytë që shkaktojnë zhurmat është efekt psikologjik, i cili shoqërohet me uljen e nivelit intelektual, uljen e gjendjes emocionale, me çrregullim nervor etj. Kjo ndodh sepse zhurmat bëjnë që të humbasë përqendrimi dhe për pasojë krijohet irritimi tek individët.

Sipas mjekut, në vendin tonë njerëzit kanë vite që nuk kujdesen më për zhurmat dhe efektet e tyre negative në shëndet. “Ndodh që në ambientet e punës, kur u thua punëtorëve që duhet të mbash kufje për t’u ruajtur nga intensiteti i lartë i zhurmës, sepse të dëmton, i duket si çudi dhe bezdi. Pra, në vendin tonë nuk ekziston një edukatë e të ruajturit të shëndetit vetjak. Shpeshherë puna është ambienti i parë që mund të na shkaktojë dëmtime në dëgjim.

“Kur tek ne paraqiten raste me probleme në dëgjim, pyetja e parë që ne i drejtojmë është se ku ka punuar, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj vetes”.

Zhurma shkakton stres tek të rinjtë

Sipas mjekut, një target grup shqetësues mbeten të rinjtë. Studime të veçanta të realizuara rreth tyre tregojnë se edhe dëgjimi i muzikës me kufje në nivele të larta volumi sjell dëmtim në dëgjim.

“Sipas studimeve të kryera, është vënë re një shtim i rasteve me dëgjim të ulët dhe dëmtim të nervit të dëgjimit tek të rinjtë që dëgjojnë muzikë me volum të lartë për një kohë të gjatë. Dëmtimet në dëgjim janë dëme të pariparueshme që shoqërohen me zhurma në vesh dhe pacienti irritohet aq sa nuk mund të flejë gjumë ose janë dëmtime që ulin kapacitetin intelektual dhe i bëjnë të rinjtë nervozë. Këto irritime i shoqërojnë ata përgjatë gjithë jetës dhe individët nuk kanë më një sjellje normale në familje apo në shoqëri etj”.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN