MENU
klinika

“Të përdorim çdo mjet, Shqipëria nuk mund të presë deri në 2025-ën”

Basha flet për zgjedhje të parakohshme: Të çmontojmë regjimin Rama-Doshi

01.06.2021 - 16:10

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se 25 prilli “nuk zgjidhi asgjë” për shqiptarët, e për të, as demokracia e as Shqipëria “nuk mund të presin deri në 2025-ën”, duke nënkuptuar kështu që mandati i tretë qeverisës i kryeministrit Edi Rama nuk mund të jetë i plotë.

Me këtë logjikë, Basha tha se si opozitë, “do përdorim çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e ndershme”.

“Kush tjetër përveç nesh ka forcën për ta çuar deri në fund këtë betejë? Por deri këtu nuk kemi ardhur rastësisht, nuk kemi ardhur duke u zvarritur. Forca jonë ka ardhur duke u shtuar pikërisht prej sakrificave dhe betejave që kemi zhvilluar.

Ndaj me këtë përgjegjësi që askush tjetër përveç nesh nuk e merr dot, me këtë forcë të rigjetur përmes bashkimit tonë dhe bashkimit të shqiptarëve me 25 prill, kamë ardhur t’ju kërkoj ta vazhdojmë betejën, sikundër kam ardhur t’ju kërkoj të më jepni besimin të vazhdoj ti prij betejës me një qëllim, jo katër vjet, por një orë e më parë pas mbylljes së kësaj gare e cila i jep vlerë edhe më shumë dhe na tregon në sy të shqiptarëve se çfarë familjeje jemi .

Familje debati, e garës, e pjesëmarrjes, e mendimit të lirë dhe pas përfundimit e vetmja garanci dhe e vetmja forcë goditëse për të rrezuar regjimin. Për këtë ka vetëm një rrugë, ajo e mobilizimit masiv popullor, ajo e qartësisë së qëndrimeve tona politike dhe qëllimi ynë në një nuk mund të jetë gjë tjetër veçse të mos lemë asnjë minutë paqe, asnjë minutë oksigjen për këtë regjim, por të bëjmë gjithçka në çdo forum bashkë derisa ta rrezojmë e t’ju kthejmë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh Basha.

Duke folur në një takim me demokratët e Lushnjes, Basha e quajti detyrë në një moment historik për PD-në “të organizojmë dhe të udhëheqim shumicën dërrmuese të shqiptarëve të cilët donin ndryshimin me 25 prill dhe e duan atë akoma më shumë sot”.

Basha theksoi se tashmë do të përdoret çdo instrument për zgjedhje të parakohshme, kur tha se duhet të përdoret “çdo mjet, të angazhohemi në çdo formë, në çdo forum të brendshëm dhe të jashtëm, të marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në kohën më të shkurtër të mundshme të çmontojmë regjimin Rama-Doshi me kompani, se emrat e tyre nuk mbarojnë po t’i marrim me radhë dhe ta çojmë vendin sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje”.

Tani para nesh ka një detyrë që është më e madhe se gjithsecili prej nesh dhe më e madhe se Partia Demokratike. Një detyrë që na e ka ngarkuar ky moment historik dhe që shpeshherë na e kanë ngarkuar shqiptarët dhe sa herë na e kanë ngarkuar shqiptarët ne kemi ditur ta mbajmë atë detyrë me dinjitet e t’i dalim asaj në krye.

Detyra jonë përballë kësaj pakice të përbindshme kriminelësh, përballë kësaj pakice të përbindshme të korruptuarish që duan ta mbajnë vendin peng, është të organizojmë dhe të udhëheqim shumicën dërrmuese të shqiptarëve të cilët donin ndryshimin me 25 prill dhe e duan atë akoma më shumë sot.

Po ashtu është detyra jonë që në kushtet ku ndodhemi mos të biem në grackën apo lojën tinëzare dhe cinike të atyre që e konsiderojnë demode, të vjetruar qëndrimin tonë ndaj kriminalizimit të politikës, asaj që në fakt është instrumenti i vetëm i kundërshtarit prej 8 vitesh.

Sikundër duhet të refuzojmë me përçmim përmbysjen e vlerave që tregojnë me dashje apo pa dashje ata që vjedhin zgjedhjeve e quajnë sukses dhe hajdutin njeri të suksesshëm.

Ne nuk e kemi pasur kurrë këtë model. Absolutisht kemi pasur gabimet tona, si në qeverisje ashtu edhe në opozitë. Por ky nuk ka qenë kurrë modeli ynë, ky nuk është modeli im, ky nuk është vizioni im dhe jam i bindur që nuk është vizioni i asnjërit prej jush këtu në sallë, i asnjë demokratik dhe demokrate, lushnjare dhe shqiptare.

Dhe nëse ata që zhvilluan luftën totale kundër demokracisë duke përdorur të gjitha instrumentet e mundshme të partisë-shtet, të oligarkisë, të krimit të organizuar për të shkatërruar zgjedhjet për ne është imperative të jemi tani në luftë totale duke përdorur tashmë çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe zgjedhjet e ndershme në vend.

Ndaj, sa më takon mua arsyeja, motivi dhe objektivi që më sjell para jush për t’ju kërkuar besimin tuaj është një dhe vetëm një: të përdorim çdo mjet, të angazhohemi në çdo formë, në çdo forum të brendshëm dhe të jashtëm, të marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në kohën më të shkurtër të mundshme të çmontojmë regjimin Rama-Doshi me kompani, se emrat e tyre nuk mbarojnë po t’i marrim me radhë dhe ta çojmë vendin sa më parë drejt zgjedhjeve që do të sjellin zgjidhje”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Oferta e Ramës për bashkëpunim pa vija të kuqe

Reagon Basha: Po hedh karremin pasi ka bërë…