E logjikshme dhe dinake, e rafinuar dhe mizore, paqësore dhe xheloze, borgjeze dhe hakmarrëse, udhëtare dhe militariste, mbiemrat dhe paradokset nuk mungojnë, kur bëhet fjalë për cilësimin e Agata Kristit (Agatha Christie), hegjemonikes “mbretëresha e krimit”, romanet policore të së cilës, nuk reshtin së magjepsuri lexuesit në mbarë botën, kurse investigimet e dy heronjve të famshëm, Hercule Poirot dhe Miss Marple, i japin shkas një liste të pafundme të përshtatjeve në teatër, në kinema apo në televizion./Konica.al/Pas Shekspirit, ajo do të ishte autorja e dytë më e lexuar në botë… Sa i përket jetës private, ajo shënohet nga ndarje të dhimbshme dhe ndjenja të zjarrta, një divorc i stuhishëm deri në zbulimin e pasionit të saj për arkeologjinë dhe Lindjen e Mesme në vitet 1930, apo “zhdukja” e saj e pretenduar në Surrey në 1926, që për disa duket si sajim që të rriste shitjet e romanit të fundit.
Veprat e Agata Kristit janë ndër më të lexuarat në histori, përkthyer në mbi 100 gjuhë, me një sukses të jashtëzakonshëm. Deri më sot, asnjë shkrimtar tjetër i romanit policor nuk ka arritur suksesin ose famën e shkrimtares angleze. E njohur si zonja e krimit, ose zonja e misterit, pasi asnjë shkrimtar tjetër nuk ka shkëlqyer në zhanrin e romanit policor si ajo. Pas Biblës dhe veprave të Uilliam Shekspirit, librat e saj janë bestseller në shkallë botërore. Po kështu, romani “Vrasja e Roxher Akroidit”, u përzgjodh si romani më i mirë policor në histori nga 600 shkrimtarë në 2013. Çfarë e bën punën e saj kaq interesante? Ndërthurja e psikologjisë dhe misterit, e manipuluar për mrekulli. Shkrimtarja i ofron lexuesit mjetet për të deshifruar fajtorin e një krimi, teksa ia del të na befasojë me qëllimet e saj.
Agata Kristi lindi më 15 shtator 1890 në Wallingford, në juglindje të Anglisë, në një familje që e pëlqente kulturën, me dy vëllezër dhe një fëmijëri të lumtur. Në 1910, Agatha shkoi njëfarë kohe në Kajro, sepse e ëma kishte probleme shëndetësore dhe ku klima ishte e favorshme. Fillimisht, kontakti me Egjiptin nuk pati ndonjë ndikim, kjo ndodhi vite më vonë. Me t’u rikthyer në Angli, shkroi dramat e para letrare. Kontakti me arkeologjinë i dha një tjetër kthesë punës së saj. Në të vërtetë, krijimtaria e saj nisi të prirej drejt temës së egjiptologjisë dhe gërmimeve arkeologjike, e cila ishte një kontribut i jashtëzakonshëm, pasi kështu ajo arriti në shenjtërim. Në 1974, ajo u emërua “Lady Commander” nga mbretëresha Elizabet II e Anglisë.
Krimi dhe misteri janë boshtet e krijimtarisë, përmes tyre arrin të tërheqë vëmendjen e lexuesve që në rreshtat e parë të romaneve. Kjo fuqi krijuese pasqyrohet në secilën fjali të sajën. Realizmi i veprave të romancieres është i atillë, sa madje një herë u mor në pyetje nga Shërbimi Sekret Britanik, pasi menduan se ajo ishte në dijeni të planeve të Hitlerit për shkak të përmbajtjes së romanit “Misteri i pa shqetësim”. Christie ka krijuar një botë fantastike, me personazhe të pavdekshëm si detektivi i famshëm Hercule Poirot. Megjithëse zhanri policor, të cilit iu përkushtua, nuk është më i përshëndeturi në botën letrare, sërish ajo arriti ta gdhendë emrin e saj në histori, për gjithë përjetësinë. Në përvojën e pasur personale dhe emocionale, në gjykimet radikale dhe etjen e pashuar për liri, Agata Kristi huazoi vrullin dhe ritmin e intrigave, dendësinë e personazheve të saj. E pavarur, kurioze për gjithçka, vëzhguese dhe e armatosur me një kokëfortësi të përhershme, ajo mishëron gruan dhe heroinën./Konica.al
Sidoqoftë, mundësia e pranimit dhe thjeshtësia e dukshme e punës së saj nuk duhet të errësojë faktin e disa leximeve: lozonjare (një fajtor që ne e zbulojmëvetëm në fund), feministe (reflektime mbi vendin e grave në shoqëri), psikologjike (një vëmendje kushtuar psikikës njerëzore), mjekësore (njohëse e mirëfilltë e helmeve), sociologjike (studim i sjelljeve të shtresave të larta britanike), filozofike (diagnozë e bërë për çështjen e së keqes), politike (një antikomunizëm i brendshëm), historike (nostalgji për epokën viktoriane), patriotike (konsiderata mbi Mbretërinë e Bashkuar në botë dhe hijeshitë e gjuhës angleze), fetare (personazhe të shenjuar me moralin e krishterë). Agata Kristi mbetet autore popullore me një bibliografi të admirueshme: 66 romane, 154 tregime të shkurtra, 20 shfaqje, botuar në 100 gjuhë, shitur dy miliardë kopje dhe botuar në 153 vende. Gjithkush ndoshta e ka lexuar, do ta lexojë ose do të shikojë një film, apo serial nga një prej librave të saj./Konica.al
Vdiq në moshën 85-vjeç, për shkaqe natyrore.
“U martova me një arkeolog, pasi sa më shumë plakem aq më interesante i dukem” Agata Kristi)