MENU
klinika

Detajet

‘Shullazi’/ Avokati akuza prokurorisë: Procesi i padrejtë

30.10.2018 - 12:06

Nga ora 9 e mëngjesit vazhdon seanca në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Avokati i Shullazit, Vladimir Meçe vazhdon të bëjë mbrojtjen e klientit të tij. Meçe akuzon prokurorinë se nuk ka zhvilluar një hetim të drejtë, dhe se ka bërë presion tek Ylvi Beqja për të ndryshuar dëshminë e dhënë në media, ku thoshte se me Shullazin kishte marrëdhënie të mira.

Meçe gjithashtu ka folur edhe për prezumimin e pafajësisë. Sipas avokatit, ish-kryeministri Sali Berisha, ka ndikuar në media dhe opinion publik, i cili e cilësonte Shullazin si person të rrezikshëm.

Prezumimi i pafajësisë është cënuar rëndë pasi Emiljano Shullazi u shpall fajtor pa pasur akoma një vendim të formës së prerë. Arrestimi dhe akuzat e Shullazit u ndikuan nga ndërkombëtarët, media dhe politika.

‘Ylvi Beqaj është mashtrues klasik pasi ai nuk është kërcënuar nga Shullazi por nga persona të tjerë që ai u kishte marrë shuma të mëdha eurosh borxh’, tha Vladimir Meçe, avokati mbrojtës i Emiljano Shullazit.

Në argumentat e mbrojtjes, avokati Meçe shprehet se procesi ndaj Shullazit është i pabazuar në prova dhe se hetimin prokuroria e ka nisur pas një deklarate të bërë publike nga ish kryeministri Sali Berisha se Shullazi kishte kërcënuar Mynyr Konin e Dhori Kulen. Sipas avokatit, deklaratat e bëra publike nga njerëz të politikës kanë ndikuar edhe tek opinioni publik për të besuar akuzat e ngritura ndaj Shullazit.