MENU
klinika

ANALIZA/ Preç Zogaj: PD, të rritet apo jo, kjo është çështja!

Pse 13 qershori është përcaktues për ruajtjen e kuotave të 25 prillit?

04.06.2021 - 14:32

Megjithëse mund t’i kuj tojë shumëkujt arketipin e dilemës së famshme “të rrosh a të mos rrosh” titulli i këtij shkrimi nuk shtrohet si dilemë për demokratët.

Të gjithë, që nga drejtuesit e lartë deri tek anëtari dhe simpatizanti më i thjeshtë, duan rritjen e saj. Për faktin se është alternativa e vetme e pushtetit të socialistëve, rritjen e PD-së e dëshirojnë normalisht edhe shumë njerëz të lirë pa parti që në zgjedhjet e mëparshme kanë votuar PS për t’u dhënë jetë impulseve të reja të rrotacionit dhe për të njëjtën arsye zgjedhin të votojnë opozitën.

Pra “të rritet apo të mos rritet PD”, shtrohet këtu si një kusht për të fituar, për të kaluar nga një forcë opozitare në një forcë qeverisëse. Rritja me rreth 150 mijë vota do ta bënte PD forcë të parë e të sigurt fituese.

Kjo është një llogari e thjeshtë, që mbështetet në fotografinë e spektrit të preferencave elektorale dhe në raportin e zgjedhësve me zgjedhjet në vend, ku PS ruan primatin që nga viti 2013 me një elektorat përgjithësisht kompakt, ndërsa elektorati i pavendosur (jo ai indiferent) është i qëndrueshëm gjithashtu.

Pa përjashtuar rrjedhjen e elektoratit të majtë për shkak të konsumimit të qeverisë, të ndonjë skandali të bujshëm që përfshin njerëzit e kupolës socialiste apo edhe të vjeljes së zgjedhësve me të njëjtat fytyra, gjë që do të zvogëlonte PS-në, Partia Demokratike mund të kapë kuotën e fitores në radhë të parë duke bërë për vete zgjedhës të lirë, të zhgënjyer apo pa besimin e duhur tek alternativa e saj njerëzore e programore. Rezerva e 150 mijë votave të fitores janë pikërisht te ky bllok votuesish. Të pavendosurit, në tërësi, nuk kanë votuar e nuk votojnë PS-në. Shifrat tregojnë se PS-në nuk i mungojnë këta numra.

Të pavendosurit janë të pavendosur sepse nuk i kanë bindur partitë e opozitës, në radhë të parë më e madhja e tyre, PD-ja. Përveçse një rezervë, ata janë një thirrje e gjallë “na merrni”.

Duhet thënë se rritja hap pas hapi e PD-së gjatë fushatës elektorale të 25 prillit u ushqye prej tyre. Nëse fushata do të kishte zgjatur dy-tri javë dhe nëse nuk do të kishin ndodhur në epilogun e saj disa ngjarje, si ajo e vrasjes në Elbasan, apo të mos ishin regjistruar disa qëndrime radikale që e ngrinë e ndoshta edhe e kthyen pas rrjedhën e të pavendosurve drejt PD-së, parakalimi i PS-së nga PD mund të kishte ndodhur. Tani kjo është një histori e mbyllur. Ndërtimi i një strategjie të plotë për rritjen me rreth 150 mijë vota duke ruajtur kuotat e 25 prillit është për PD një detyrë e së ardhmes së afërt.

Në rendin e ditës në këtë periudhë janë zgjedhjet për kryetarin e saj. Kryetari i PD-së është praktikisht kandidati i saj për Kryeministër. Nga kjo pikëpamje, këto zgjedhje janë si primaret në SHBA, që nxjerrin kandidatin për President të opozitës përballë Presidentit në detyrë. Zgjedhjet e 13 qershorit për kryetarin e Partisë Demokratike janë përcaktuese për ruajtjen e kotave të 25 prillit; janë përcaktuese për të synuar e kapur kuotën e fitores së sigurt, përtej rezultatit të 25 prillit. Këtu edhe programi dhe strategjia e secilit kandidat.

Por duhet ta nënvizojmë: në këtë fazë, më e rëndësishme se programet e premtimet, është cilësia e zgjedhjeve, standardi i tyre. Është vetë gara. Kjo garë startoi më një të dhënë që i limiton objektivisht mundësitë e saj për të qenë në lartësinë e rëndësisë që i dhamë pak më lart, kur e krahasuam me primaret në SHBA, gjithnjë në përmasat e Shqipërisë.

Është koha e shkurtër që iu la, njëlloj si të ishin zgjedhje të jashtëzakonshme në emergjencë. Kryetari Lulzim Basha po ngulmon se me retorikën e tij t’i zhvillojë nën shenjën e masakrës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, gjë që, objektivisht përsëri, priret ta ngushtojë shumë, deri në asgjësim madje, hapësirën për shpalosje të alternativave, për konkurrencë idesh, vizionesh e projektesh, çfarë është kuptimi i vërtetë i një gare zgjedhore. Transparenca e zgjedhjeve të 25 prillit është sigurisht një çështje e madhe për vendin, një detyrë për opozitën. Ajo duhet bërë pa e përzier me zgjedhjet brenda partisë. Në të kundërtën shndërrohet vetvetiu në një casus belli për të dribluar analizën e faktorëve të brendshëm.

Vetëm një analizë e tillë hap perspektivën e reflektimit, korrigjimit, reformimit. Basha dhe forumet e PD-së do të kishin bërë mirë të bënin betejën ligjore për zgjedhjet e 25 prillit të parën dhe vetëm pasi t’i shkonin në fund kësaj beteje brenda dhe jashtë vendit, t’u hapnin rrugë zgjedhjeve në parti. Pala në zgjedhje ka pretendimet dhe faktet e saj, por nuk ka tagrin e gjykimit të tyre të formës së prerë. Gjykimin e kanë arbritrat që janë të shumtë, në disa shkallë.

Nuk duhet të harrojmë se kësaj radhe PD dhe gjithë opozita kanë qenë pjesë e vendimmarrjes konsensuale për gjithë atë pjesë të Reformës Zgjedhore që ka të bëje me administrimin e zgjedhjeve dhe ankesave. Caktimi në një datë të afërt për mbajtjen e zgjedhjeve me të rëndësishme në parti dhe tendenca për t’i zhvilluar ato në shenjën e masakrës zgjedhore në verifikim mbyllin në lidhjen e tyre një vendimmarrje që nuk mundëson një garë siç do t’i duhej Partisë Demokratike.

Tani kjo ka ndodhur e nuk kthehet më. I mbetet fushatës në ditët e mbetura të kompensojë sa të jetë e mundur dëmet e nxitimit. Është një gjë shumë pozitive që ka katër kandidatë. Kishte që nga zgjedhjet partiake të tetorit 1991 që PD nuk kishte katër kandidatë më garë.

Me ndryshimin se atëherë votonin për kryetarin e partisë vetëm anëtarët e kryesisë se saj. Kurse sot voton anëtarësia. Ka rëndësi të madhe që gara të zhvillohet deri në fund si e tillë, si garë brenda llojit, ku të gjithë kandidatët kanë një qëllim të përbashkët.

Editi, Fatbardhi, Agroni, që janë kandidatë të rinj, janë ofruar në një moment delikat për PD-në dhe opozitën. Ata meritojnë të respektohen e dëgjohen nga demokratët. Ata janë sfidantë të Bashës dhe të njëri-tjetrit. Kjo është gara.

Si kryetar prej tetë vitesh dhe kandidat për një mandat të tretë, Basha ka më shumë mjete në dorë se rivalët e tij. Që duhet t’i përdorë në shërbim të një gare të hapur e të ndershme. Bashkë me projektin e tij legjitim për të fituar ndaj rivalëve, Basha ka përgjegjësinë të shërbejë i pari bashkimin e partisë në kompeticion dhe diversitet dhe lidhur me këtë një proces zgjedhor të rregullt, të pakontestueshëm.

Ndër garat më të mira në zgjedhjet e brendshme në PD, është ajo e para disa viteve për kryetarin e forumit rinor të PD-së, ku konkurruan Belind Këlliqi, Ori Nebiaj dhe Saliani, që të tre politikanë me profile të spikatura në PD sot. E risjell në vëmendje këtë garë për të mbështetur një pohim se garat e vërteta, sado të forta e të ngarkuara me emocione, në fund të herës bashkojnë, paqtojnë, promovojnë.

E kundërta ka ndodhur e ndodh me garat e trukuara. Këto janë shkaku numër një i përçarjes, i zvogëlimit, i shndërrimit të partisë në kazermë. Nuk përçan diversiteti i mendimeve dhe vizioneve. Në partitë e djathta, diversiteti është pasuri. Një identitet politik përforcohet përmes mosdakordësive, shkruan ideologu djathtist, Roger Skruton.

Kur flasim për hapje të PD-së, si një kusht për suksesin e saj elektoral, kemi parasysh pikësëpari hapjen e mendjeve, kultivimin e një mendësie demokratike perëndimore dhe fisnike shqiptare, tejkalimin dhe flakjen e mendësive neobolshevike që diversitetin e konsideron komplot, tradhti, shitje të kundërshtari, ndërsa garën përçarje!

Mjaft me ketë histori të pambaruar, idioteske! Hapja e mendjeve hap dyert e partisë. Këtu është një prej sekreteve të rritjes së pëlqyeshmërisë së PD-së nga elektorati i gjere. Për t’u kthyer edhe një herë te 13 qershori.

Kësaj radhe, më shumë se asnjëherë tjetër, është me rëndësi të jashtëzakonshme zhvillimi i rregullt, pa asnjë të metë, i zgjedhjeve. Në vartësi të cilësisë se këtyre zgjedhjeve, 13 qershori do të jetë një ditë e rinisjes së PD-së drejt kuotave të fitores ose një ditë e hyrjes së saj në një trajektore të kundërt me rritjen.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Preç Zogaj

Amerika e para


“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin