Nga Lezha, ku duket se informaliteti ndër biznese është i lartë, drejtoresha e tatimeve Delina Ibrahimaj tha se operatorët turistik do të përballen me gjoba nëse nuk deklarojnë të ardhurat. Në Shëngjin, tha ajo gjatë muajit maj bizneset nuk kanë prerë asnjë kupon tatimor.
Pavarësisht se Shëngjini kishte fundjavën e kaluar vizitorë të shumtë, pjesa më e madhe e bizneseve, rezultojnë se nuk kanë prerë asnjë kupon tatimor. Kjo shkelje ka vijuar përgjatë gjithë muajit maj, ndërsa bizneset kanë shmangie edhe deklarimet mbi numrin e punonjësve.
Problematika u bë e ditur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me bizneset që operojnë në sektorin e turizmit në Shëngjin.
“Gjatë muajit maj janë 250 tatimpagues që nuk kanë shtypur asnjë herë kasë. Pra, situata e pandemisë dhe situata e uljes së vigjilencës për kontrolli nga Tatimet, pasi s’kemi dashur të penaliziojmë subjektet, ka sjellë ç’rregullim total të situatës së deklarimeve. Shpresoj që me këtë takim të hedhim një hap të mirë me reduktimin e kësaj shifre”, tha Brahimaj.
Nëse nuk do të ndodhe vetëkorrigjimi atëherë do të ketë ndëshkime për bizneset.
“Ne fillimisht në do t’i njoftojnë, nëse tatimpaguesit nuk do të vetëkorrigjohen atëherë do të marrim masa pasi respektimi i ligjit është patjetër detyra jonë”, vijoi Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve.
“Ne kemi në fokus monitorimin dhe sensibilizimin më shumë se sa ndëshkimin në këtë sezonin turistik. Pjesa më e madhe e zbatojnë ligjin por ka edhe nga ata që nuk e bëjnë. Grupet do të jenë në terren por do të monitorohen edhe nga zyra”, tha Oliana Moriseni, Drejtoreshë e Tatimeve Lezhë.
Në qarkun e Lezhës operojnë 334 biznese në fushën e turizmit, nga të cilët vetëm 57 janë tatim pagues të TVSH, pjesa tjetër kanë përfituar nga rritja e pragut të TVSH-së, pasi janë biznese të vogla.