Kosova do të përfitojë 200 milionë euro investime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Fondacionit të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Muajin e kaluar, MCC-ja publikoi një raport ku thuhet se është miratuar kërkesa për ndarjen e këtyre mjeteve, të cilat kryesisht janë të përqendruara në programe për energji. Ndaj SHBA-së, Qeveria e Kosovës nuk ka pasur falenderim për ndarjen e këtyre mjeteve, ose të paktën nuk e ka shprehur atë publikisht.
Për këtë Gazeta Express ka pyetur në Zyrën e Kryeministrit, nga e cila, deri tash, nuk ka pasur përgjigjje nëse Ekzekutivi ka shprehur mirënjohjen publikisht apo privatisht ndaj SHBA-së për ndarjen e këtyre mjeteve.
Në dokumentin Justifikimi i Buxhetit të Kongresit për vitin 2022, të publikuar nga MCC-ja, thuhet se nëpërmjet zhvillimit të sektorit të gazit dhe burimeve të ripërtërishme, do tentohet të lehtësohet mbështetja e kosovarëve në qymyr.
“MCC dhe Qeveria përfunduan studimet në vitin 2020 për të vlerësuar tri projekte të propozuara: zhvillimin e sektorit të gazit natyror të Kosovës, krijimin e rezervave të energjisë për balancimin e sistemit të energjisë dhe përmirësimin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas rishikimit të rezultateve të studimeve, Qeveria kërkoi të shkojë përpara me zhvillimin e sektorit të gazit dhe krijimin e rezervave të energjisë me synimin për të lehtësuar integrimin e burimeve të rinovueshme, lehtësimin e varësisë së Kosovës nga qymyri dhe arritjen e qëllimeve të dekarbonizimit”, thuhet në dokument.
Zbatimi i projekteve të MCC-së vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar shtatorin e kaluar në Washington për normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka thënë se shpreson që do bashkëpunojë me qeverinë e re të Kosovës. Megjithatë, në njërën anë ka skepticizëm pasi kryeministri Albin Kurti pati thënë se s’do ta zbatojë Marrëveshjen e Washingtonit.
“Nuk besoj që është menduar të implementohet. Ka disa elemente pozitive.. Kështu duhet ta shohim si grumbull pikash, e jo marrëveshje merre ose lere”, pati thënë kryeministri.
Gjatë Qeverisë Kurti 1, në mars të vitit të kaluar, MCC-ja pati pezulluar programet e zhvillimit ekonomik në Kosovë për shkak se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e hiqte tarifën prej 100% ndaj produkteve serbe.
Vlera e vetëm një programi që MCC-ja e kishte pezulluar në muajin mars të vitit të kaluar, kapte shifrën prej 50 milionë dollarësh.
Bllokimi i fondeve për Kosovën nga MCC-ja vazhdoi edhe pas heqjes së kësaj tarife, për shkak të vendosjes së masave të reciprocitetit me Serbinë nga qeveria e Kurtit, gjë që ishte kundërshtuar nga SHBA-ja.
Pas shfuqizimit të masës së reciprocitetit nga qeveria pasuese e Avdullah Hotit, MCC-ja kishte njoftuar më 6 qershor se i ka zhbllokuar fondet e saj për Kosovën dhe se do të rifillonte zbatimin e programeve të zhvillimit ekonomik të vendit.