KPA ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme Prokurorin e Shkodrës, Anton Martini. Ky shkarkim erdhi pas deklarimit të pasaktë të pasurisë dhe mungesën e burimeve të ligjshme për periudhën 2003-2016.
Në lidhje me këtë vendim të KPA, Martini ka bërë ka reaguar duke thënë se ishte i përgatitur edhe për këtë vendim, ndërsa shton se ai kishte informacione se po punohej fort dhe në mënyrë të kamufluar kundër tij.
Teksa e quan pushkatim vendimin e KPA, Martini shton se beteja e tij ligjore do vazhdojë me shpresë që e drejta do të vihet në vend. Ai nuk lë pa përmendur edhe ndërkombëtarët që sipas tij dje dështuan të monitorojnë këtë proces.
Deklarata e plotë:
Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të mi!
Dje nuk ishte një ditë e mirë për mua dhe familjen time.
Padyshim, që isha i përgatitur edhe për këtë vendim, sepse kisha të gjithë të dhënat e nevojshme që po punohej fort dhe në mënyrë të kamufluar kundër meje.
Me këtë, nuk dua ta mbivlerësoj për asnjë moment veten time, më besoni.
Dje, shteti im më “pushkatoi” mua dhe familjen time, në mënyrë krejt të padrejtë e të pabesë, shtet për të cilin, prej 23 vitesh punova shumë shumë fort, duke u munduar te ruaj e të mos cënoj për asnjë moment besimin ndaj qytetareve të mi.
Dje, faktori ndërkombëtar dështoi të monitorojë procesin kompleks ndaj meje, rol të cilin parlamentarët e vendit tim, j`ua besuan nëpërmjet dispozitave kushtetuese.
Jam sigurisht i mërzitur nga vendimi i djeshëm, por pavarësisht kësaj, dua që sot, të falenderoj çdo mik dhe bashkëpunëtor timin, që kam pasur ndër vite, me të cilët kemi ndarë orët e gjata dhe netët pa gjumë, për të punuar që ky vend të behej më i sigurtë.
Falenderoj nga zemra cdo qytetar që më ka mbështetur me fjalë e komente gjatë kësaj periudhe, të cilët kanë besuar te parimet që unë mbroj.
Beteja ime ligjore do vazhdojë, me shpresë, që e drejta e cënuar, të vihet në vend.
Duke e përfunduar këtë përshendetje me plot emocion nga unë, dua ta mbyll me një pasazh nga një bashkëbisedim që pata mbrëmë në orët e vona, me një mikun tim të ardhur nga larg në shenjë solidariteti me familjen time në këto momente, i cili më pyeti; “këta që të kanë rënë në qafë ty dhe fëmijëve te tu, si mund t’i zëjë gjumi të qetë”? – e si përgjigje nga unë, mori një shprehje biblike e cila mu kujtua në çast; ” Fali o Zot se nuk dinë cfarë bëjnë”!
Çështjet e bujshme që mori përsipër të hetojë Anton Martini
Anton Martini është emëruar më 10 nëntor të 2017-ës Prokuror i Shkodrës, ndërsa hetoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, për përfshirjen e mundshme të tij në blerjen e votave.
Martini ka pasur në dorë disa prej dosjeve më të bujshme të dekadës së fundit.
Në 2008-ën ai ka qenë prokuror në çështjen e ish-drejtorit të Policisë së Beratit, Ilirjan Dida, i cili akuzohej për dy vrasje. Prokuroria kërkoi 22 vite burg për ish-drejtorin.
Në qershor të 2010-ës, Anton Martini mori përsipër zhdukjen e vogëlushes Bleona Mata. Ende ku edhe sot, kjo çështje ka mbetur e pazbardhur.
Ai ka qenë prokuror edhe në çështjet e bujshme të bandës së Cërrikut dhe bandës së Durrësit. Më 10 tetor 2011, Martini kërkoi burgim të përjetshëm për Lul Berishën, kreun e bandës së Durrësit, dhe tre të akuzuar të tjerë, si dhe 234 vite burg për pjesëtarët e bandës.
Më 22 nëntor të 2011-ës, Anton Martini kërkoi tre burgime të përjetshme dhe 122 vite burg për anëtarët e bandës së Cërrikut.
Në mars të 2015-ës, Martini ishte një prej tre prokurorëve të çështjes së Arben Frrokut. Ai së bashku me kolegët e tij kërkoi burgim të përjetshëm për Frrokun, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Anton Martini mori përsipër edhe dosjen e Lazaratit dhe në dhjetor të 2015-ës kërkoi 110 vite burg për Gate Mahmuatajn dhe bandën e tij.
Në korrik të 2016-ës, u raportua se trafikanti i drogës Jurgen Molla kishte paguar 150 mijë euro për të transferuar Anton Martinin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Shkodrës.