MENU
klinika

Nga Sokol Balla

Një ditëlindje dhe një ditëvdekje

13.06.2021 - 21:18

Gramoz Ruçi bën 70 vjeç në dhjetor, por zëre se ditëlindja e tij ka qënë dje. Tre dekadat e jetës politike të PS, ngritur mbi gërmadhat politike të Partisë së Punës, janë dhe jeta e vërtetë e Gramoz Ruçit. Portreti i tij i ashpër, vështrimi i vëngërt nuk i bëjnë asnjë favor profilit të tij të urtë, të qetë, por të pakapërcyeshëm.

Koka shpesh e ulur dhe vështrimi që rrallë të ngulet në sy, iu përdorën jo si indicje të një karakteri që ai nuk e pati kurrë, as të të ashprit, as të kriminelit dhe as të korruptuarit. Imazhi më i hershëm i tij që më kujtohet, është ecja e Ruçit mes njerëzve në Shkodër, ndërsa i drejtohej sallës ku mbahej gjyqi për ngjarjet e 2 prillit dhe për të cilat RuçI, megjithëse nuk u akuzua kurrë, iu desh të mbante 30 vjet mbi kurriz baltën, akuzat dhe shpifjet e Sali Berishës. Mesa mbaj mend, kishte veshur një kostum të bardhë dhe poshtë një këmishë të kuqe.

Flokët e zbardhur shpejt megjithëse atë vit nuk kishte akoma as 40 vjeç. Vite më vonë më ka treguar se atë ditë me diell në Shkodër, kur iu desh të ecte mes shkodranëve që shihnin tek ai vrasësin, e thirrur në emër kështu nga Sali Berisha, ai kishte ndjerë frikë për jetën e tij. Por nuk kishte pranuar eskortë.

Kishte parkuar makinën së cilës i kishte dhënë vetë, diku afër Gjykatës së Shkodrës. Në brez mbante një pistoletë, por pa fishekë. Shpresonte mos ta nxirrte kurrë. Dhe ashtu ndodhi. Ruçi eci ngadalë drejt gjykatës, nën sytë e çmeritur të qindra shkodranëve, që nuk e besonin sesi ai mund ta bënte këtë.

E megjithëse nuk e falën kurrë, besoj në atë muaj të vitit 1991, ata do kenë patur shkëndijën e parë intuitive se Gramoz Ruçi, nuk kishte asnjë dorë në ngjarjet e 2 prillit. 28 vjet më vonë, në 30 qershor 2019, po në Shkodër, u tentua të krijohej e njëjta situatë. Por kësaj radhe policët, as u impresionuan e as u provokuan nga turma e organizuar nga PD, që kërkonte një ngjarje, disa viktima dhe të njëjtin autor politik, në ditën kur po mbaheshin zgjedhjet lokale që ajo i bojkotoi. Sot, asnjëra nga këto dy ngjarje nuk është zbardhur.

Por së paku ka një bindje të përgjithshme se kush nuk është fajtor tek të dyja. Hetimi i ngjarjes së dy prillit, duhet të permbyllet që t’i qetësojë shpirtrat e katër të vrarëve, të vendosë drejtësi mbi emrin e Gramoz Ruçit dhe të dënojë autorët e vërtetë. Por ndoshta para kësaj, drejtësia duhet të zbardhë 21 janarin, ku të paktën shpifësi u detyrua të heqë dorë nga shpifjet dhe të pranojë vrasjet.

Çuditërisht ky shpifës recidivist thotë se Ruçi kishte frikë në 1996 dhe se kishte kaluar kufirin me Greqinë i maskuar. Mund të jetë e vërtetë, por Gramozi iku të punonte për bukën e gojës. Nuk i hipi tragetit si familjet Berisha e Zhulali në mars 1997, nga frika e hakmarrjes popullore. Ja një provë tjetër se kush janë vrasësit dhe cila është e vërteta e pathënë ndonjëherë për zotin Ruçi. Dhe për Sali Berishën.

Jo se drejtësia vepron me precedent edhe kur vrasësi është i njëjti. Dhe aq më pak i duhet Gramozit të vendosë raport legal me drejtësinë. Ai ka ditur vetë të vendosë raport të ndershëm me drejtësinë. Më kujtohet një ngjarje aksidentale rrugore e vitit 2012, ku u përfshi i biri. Qentë e shpifjeve tentuan sërish të ngatërrojnë një ngjarje banale me mbiemrin politik të familjes së tij. Ruçi më ka treguar sesi vetë në heshtje investigoi ngjarjen, duke siguruar pamjet nga një bankë aty afër, ndërkohë që qentë mediatikë të Doktorit lehnin dhe flisnin për vrasje, në një përpjekje djallëzore por njëkohësisht edhe demente, për të krahasuar dy viktima aksidenti me 28 të vdekurit e Gërdecit. Pamjet treguan qartë sesi i biri i Ruçit, ishte futur në kryqëzim me sinjal të gjelbërt dhe makina tjetër fatkeqe, ishte përplasur me të, pasi ishte futur në të kuqe. Djali i Ruçit nuk është një engjëll, por të paktën Ruçi nuk i ka fshehur ndonjëherë gjurmët e krimeve të familjarëve, e aq më pak të ketë punuar me ndërgjegje për të kryer vepra të paligjshme dhe penale, për ta dhe me ta.

Por heshtja e tij përballë Sali Berishës herë pas here më “frikësonte”. Më dukej si nga ato heshtjet që nuk falin kurrë. Ndoshta dhe unë ndikohesha nga profili i ashpër i Gramozit. Por qetësia dhe heshtja si duket, ishin armët e tij. Edhe kur tentuan t’ja përlyenin emrin tek të huajt, ata që fotografonin Servet Pëllumbin në Uashington, ndërsa blinte një libër të Karl Marksit në anglisht.

Thuhet se për disa kohë, edhe Ruçi pati një ngërç në konsullatën amerikane në Tiranë. Por ai kurrë nuk bëri zhurmë. As nuk u ankua. As nuk bëri viktimën, e aq më pak heroin. Pranoi në heshtje keqkuptimin dhe priti derisa ai të kalonte. Sigurisht e ndihmoi dhe Gërdeci, Saliu, 21 janari.

Gjërat me kalimin e dekadave u bënë gjithnjë e më të qarta, për të gjithë, në fund fare, edhe për amerikanët. Pak vite më herët vizitoi në heshtje Uashingtonin, edhe në cilësinë e numrit 2 të shtetit, duke i lënë ngrënëmutësit dhe baltosësit zhytur në mutin dhe baltën e heshtjes së tyre.

Gramoz Ruçi ka një familje normale. Një vajzë që punon në privat dhe të birin që punon në një kompani shtetërore në një pozicion modest. Disa thonë nuk e meriton punën në Albkontrol, por aty ka disa idiotë me mbiemra politikë, që jo vetëm paguhen nga 4500 euro në muaj, por kanë në duart e tyre të paafta dhe jetët tona çdo ditë. Djali i Ruçit nuk është mes tyre. Gramoz Ruçi nuk i ka çuar fëmijët e tij me studime në Londër dhe unë besoj se kjo kjo ndodhur jo sepse fëmijët e tij janë më pak inteligjentë ta zëmë se fëmijët e Ilir Metës, por sepse thjesht kjo nuk ndodh në shtëpinë e Gramozit. Ai di t’i vërë gjërat në vend në familjen e tij. Edhe atë politike.

Në 1996 ai mbajti partinë me kryetarin e burgosur nga skifterët e Berishës Brenda Selisë Rozë. Në 1997 gjeti mënyrën më pak të dëmshme për të lidhur ardhjen në pushtet, me Komitetet e Shpëtimit dhe zemërimin e parave të humbura, por Nanon nuk e kontrollonte dot të premtonte kthimin 100 përqind të parave. Ndaj një vit më vonë në 1998, ai e ruajti PS por dhe vendin nga shkatërrimi dhe mbështeti një zgjidhje që i hapi rrugë një situate jokonfliktuale. Në 2001 mbështeti me heshtjen e tij rikthimin e Fatos Nanos, si një lëvizje që goditi korrupsionin ordiner që kishte përfshirë qeverisjen socialiste, por nuk e la PS të binte bashkë me Nanon, që sillej si monark në rrëzim dhe si formati qesharak i Luigjit XIV. Gramoz Ruçi mund ta kishte marrë partinë në çdo sekondë, por ai mbështeti personin që intuita i tha do ta kthente atë në pushtet. Por pa shkelur mbi historinë e Partisë dhe duke respektuar sensin e historisë.

Gramoz Ruçi nuk pranoi kurrë një post ekzekutiv që prej qershorit 1991. Sensi i tij i ndershmërisë politike nuk e la të merrte pozicione, për shkak të të cilave, jo ai vetë por familja e tij politike mund të goditej pa të drejtë. Ndaj dje, kur ai tha se po ikte, të gjithë e besuan se ai nuk kthehet më. Ai nuk është Sali Berisha. Dhe Partia Socialiste nuk është PD. Sigurisht ikja e tij ka lënë një trashëgimtar, por dyshja Erion Veliaj dhe Taulant Balla, nuk është një duel i ardhshëm në PS, por është e ardhmja e barazpeshës mes familjes politike dhe interesave të vendit.

Mes qeverisjes dhe opozicionit. Eshtë shenja më e fortë e jetës së një partie, që megjithëse i kaluan dje 30 vjet nga jeta e saj e dytë, sjell shenja ripërtëritjeje edhe nga personazhi I saj më veteran. Eshtë kjo arsyeja që siç do thoshte Shpëtim Nazarko, shumë intelektualë antikomunistë, pas dekadës së parë të tranzicionit, e gjetën veten më afër atmosferës tolerante, mbarëkombëtare, liberale të profesorëve të PS. Përjashto Kaçin e zi sigurisht. Ai shkoi tek foleja e merituar. Një tjetër kontribut në heshtje, i Gramoz Ruçit.

Kjo fole e zymtë, e errët, e ftohtë dhe e mbushur me pupla të shkulura lavdie të dikurshme dhe dilemma hamletiane, ka dhe ajo sot një ditë për t’u shënuar. PD bën sikur rizgjedh kryetarin e saj, mes disa sharlatanësh e figurash groteske, që e bëjnë “zotin Luli Basha”, të duket si heroi plangprishës i Dylqinjës së Tobozës. Nën bekim-mallkimin e shpifësit dhëmbëprishur dhe të dënuarit të përjetshëm nga mallkimet e viktimave të pakallura, të krimeve të tij të pandëshkuara. Të dielën rreth orës 16, kutitë, sallat e partisë që solli shpresën dhe më pas e varrosi atë në themelet e kullës së Viçidolit, ishin bosh. Si një vaki në kohë pandemie. Sot PD kishte ditën e saj të vdekjes. Vetëm kësaj nuk kishte ç‘ti bënte Gramoz Ruçi.

Përveçse me ditëlindjen e tij politike dje, me ikjen e tij prej gjenerali me 3 yje në ditën e festës së fitores, t’I tregojë Sali Berishës, se kur nuk vret, kur nuk vjedh dhe kur nuk i hyn në hak kërkujt vetë dhe përmes fëmijëve të tu, ke gjithë të drejtën e botës të ikësh kryelartë në moshën 70 vjeç dhe të jetosh pa frikë ndëshkimi e pa shpresë amëshimi, dekadat e sprasme të jetës, me nipër dhe mbesa. I qetë se familja e tij politike as i duhet për mbrojtje dhe as nuk ka më nevojë për biberon. Ajo ecën vetë si vetë Shqipëria. Me probleme, me çalime, me marrje frymë herë pas here. Por me besimin se 12 muaj më vonë do festojë sërish ditëlindjen. Dhe jo një vjetorin e vakisë së vet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"S’e kam kuptuar asnjëherë urrejtjen për Shqipërinë dhe dashurinë me Serbinë"

Mbylli kufirin me Shqipërinë/ Thaçit ‘shuplakë’ Albin Kurtit

"Nëse kodi s’votohet më 30 shtator, prodhohet krize e re kushtetuese"

Heqja e koalicioneve?! Gjiknuri: S’i cenojmë votat e kundërshtarëve

Ja çfarë thotë Taulant Balla

Gramoz Ruçi, sërish kryetar Kuvendi?


Shoku i tij Martini u vra, ndërsa vetë mori 5 plagë me thikë

Zbardhet dëshmia e 14-vjeçarit tek Trauma!

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin