“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Çfarë kuptojmë me depistim për kancerin e qafës së mitrës?
Mjeku: Meqë HPV është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës, depistimi për këtë kancer ka të bëjë me identifikimin e pranisë së infeksionit me HPV, dhe konsiston në marrjen e një sasie qelizash nga sipërfaqja e qafës së mitrës ose vaginës për t’u analizuar.
Kampioni çohet në laborator dhe analizohet për praninë ose jo të tipeve HPV, shkaktare të kancerit të qafës së mitrës të quajtura ndryshe me rrezik të lartë (hr-HPV). Nëse identifikohet prania e infeksionit me HPV nuk do të thotë se keni kancer por thjesht jeni e infektuar me HPV, dhe nëse nuk ndiqeni apo nuk trajtoheni më tej, ky infeksion mund të përparojë në kancer. Prandaj, në një situatë të tillë, për të kontrolluar më mirë qafën e mitrës duhet të kryeni një ekzaminim të dytë që quhet kolposkopi. Nëse specialisti që kryen kolposkopinë do të identifikojë qeliza anormale, do t’ju sugjerojë t’i hiqni ato, dhe kjo bëhet si rregull gjatë procedurës së kolposkopisë.
Kjo është mënyra se si depistimi parandalon kancerin e qafës së mitrës.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.