Historia e panjohur e Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27-vjeçare në rrethana tragjike dhe ende të pazbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-së, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit në ngarkim të Aleksandër Kondos, e deklasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Nga: Dashnor Kaloçi
(Vijon nga numri i kaluar)
Dokumenti sekret në kartotekën e Sigurimit të Shtetit me listën e bashkëpunëtorëve që ndiqnin dhe survejonin Aleksandër Kondon dhe lista e familjarëve, që mund të ndiqeshin për kontrollin e tij
Sekret
Fleta e kontrollit në kartotekë
Lutemi të kontrolloni dhe na njoftoni nëse figuron i regjistruar në evidencën operative personi i poshtë shënuar
Mbiemri – Kondo
Emri – Aleksandër
Atësia – Vangjel
Datëlindja – 1960
Vendlindja – Fier
Vendbanimi – L. 1, Rr. Haxhi Sufa, P. 2,
Uzina – elektromekanike,
Profesioni – Punëtor,
Kombësia – Shqiptare, Shtetësia – Shqiptare
Puntori Operativ
O. F.
Tiranë më 10.5.1984
Ju njoftojmë se personi i kërkuar nga ju ka të dhëna P. op.
O.F.
Datë 11.5.1984
Lista e B.p. që e kanë pasur dhe e kanë në lidhje
“Studenti”
“I penduari”
“Dinamo”
“Shqiponja”
Lista e p.op. që drejtojnë B.P. ose njihen me materialet e dosjes.
F. Z.
Lista e lidhjeve familjare miqësore dhe shoqërore me interes operativ
Vangjel Nisi Kondo, babai, është përjashtuar nga Partia dhe ka dalë në lirim si officer.
Antigoni Gjergj Kondo, nëna.
Dhimitraq Vangjel Kondo, vëllai, njeri i çrregullt.
Roland Vangjel Kondo, vëllai, njeri korrekt.
Florika Vangjel Kondo, motra, i mire.
Lindita Vangjel Kondo, motra, i mire.
Valentina Vangjel Kondo, motra.
Lista e personave që implikohen në veprimtarinë e objektit
Xhelal Sukniqi, i arratisur
Korespondenca e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me Hetuesinë e Përgjithshme, për Aleksandër Kondon e Xhelal Sukniqin
MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME
Fondi: DREJTORIA I SIG.SHTETIT
Sektori: DEGA I
Model 7
Viti 1985
Dosja Nr. 85
Titulli i dosjes: KORRESPONDENCË MIDIS MPB DHE HETUESISË SË PËRGJITHSHME PËR ALEKSANDËR KONDON DHE XHELAL SUKNIQIN QË REFUZUAN TË KTHEHEN NË ATDHE.
Ka filluar më 6.6.1985
Ka mbaruar më 4.6.1985
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME
DREJTORIA E PARË
Nr. 4227
Sekret
Ekzemplar Nr. 2
Tiranë më 6.6.1985
Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin
HETUESISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Më poshtë po japim disa të dhëna biografike, për të përmendurit në lëndë:
1.Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit, i lindur në Fier në vitin 1960 dhe me banim në Tiranë, i padënuar, i paorganizuar në parti, i fejuar me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me punë polic në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë. I sipërpërmenduri rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Babai i tij është oficer në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AP. Të tillë janë xhaxhai dhe burri i motrës. Të dënuar, të arratisur jashtë shtetit dhe internuar, nga rrethi i tij familjar dhe miqësor, nuk ka. Mbështetur më sipër për Aleksandër Kondon, është dhënë disa herë mendim pozitiv, dhe është lejuar të dalë 8 herë jashtë shtetit, me ekipin kombëtar të peshëngritjes.
2.Xhelal Sukniqi, i biri i Nuhit, i datëlindjes 1961, lindur në Shkodër dhe me banim po aty, me arsim të mesëm të pambaruar, punëtor, i padënuar, i paorganizuar në parti, me kombësi e shtetësi shqiptare, me punë në Uzinën e Telit në Shkodër. Xhelal Sukniqi, rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Dy vëllezërit, motra, dy kunetërit, dhe disa kushërinj të parë, janë antar të PPSH-së. Nga rrethi i tij familjar e miqësor, nuk ka, të arratisur jashtë shtetit, të pushkatuar, të dënuar, apo internuar, me përjashtim të dajës së tij Nuh Lika, i cili ka qenë dënuar për agjitacion e propagandë, dhe që ka vdekur në vitin 1983. Mbështetur sa sipër, për Xhelal Sukniqin, është dhënë 5 herë mendim pozitiv për të dalë jashtë shtetit, nga DPB Shkodër, dhe Dega e Sigurimit të Ushtrisë.
ZV. MINISTRI I PUNËVE TË BRËNDSHME
Zylyftar Ramizi
Raporti i Sigurimit të Shtetit drejtuar Hetuesisë së Përgjithshme për udhëtimet që kanë bërë jashtë shtetit, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, për aktivitetet sportive ndërkombëtare
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRËNDSHME
DREJTORIA E PARË
Nr. 4227
Sekret
Ekzemplar Nr. 2
Tiranë më 6.6.1985
Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin
HETUESISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Të përmendurit në lëndë, kanë dalë jashtë shtetit si më poshtë:
Aleksandër Kondo
Rumani, prej datës 18.11.1981 deri më 25.11.1981
Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982
Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982
Turqi, prej datës 21.4.1983 deri më 29.4.1983
Algjeri, prej datës 11.5.1983 deri më 18.5.1983
Greqi, prej datës 16.11.1983 deri më 21.11.1983
Spanjë, prej datës 25.4.1984 deri më 2.5.1984
Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985
Xhelal Sukniqi
Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982
Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982
Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985
Relacion i Sigurimit të Shtetit mbi shkaqet e arratisjes së Aleksandër Kondos
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 20.7.1985
RELACION MBI SHKAQET E ARRATISJES SE ALEKSANDER KONDOS
Aleksandër Kondo, ka qenë disa herë jashtë me ekipin e peshëngritjes. Para arratisjes, ka qenë në Spanjë dhe atje, nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Dhe kjo del, edhe nga relacioni që ka bërë për këtë gjë P.op. D.L. që ka shoqëruar ekipin në Spanjë.
Nga ana jonë duke njohur jo vetëm qëndrimin moralo-politik të familjes së tij, por edhe qëndrimin e tij si person, është dhënë mendim negativ për shkuarjen e tij në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në maj të 1985. Ky mendim është bazuar në disa materiale e të dhëna, që kemi pasur në ngarkim të tij.
Sepse ai, ka përdorur stimulues të ndryshme gjatë garave, dhe kur ka qenë në Spanjë, ka sjellë me vete një revistë pornografike, është shoqëruar me elementë të paformuar dhe, ka qenë njeri i çrregullt e pa princip. Pas përfundimit të kampionatit në Poloni ekipi ynë, mbërriti në Titograd, ku do të priste autobuzin tonë për ti marrë.
Në atë kohë të gjithë shokët, shpërndahen. Po kështu edhe Aleksandri largohet së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqi, dhe nuk u kthye më tek shokët. Sesi janë larguar, nuk dihet gjë por dihet që kanë kërkuar strehim politik. Aktualisht të dy, ndodhen në Jugosllavi.
PUNËTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT TË PARË
F.Z N.S.