MENU
klinika

Kryetari dhe sekretari i FFK

Agim Ademi e Eroll Salihu frikë nga njëri-tjetri, bëjnë paqe

16.06.2021 - 11:27

Agim Ademi e Eroll Salihu kanë arritur edhe njëherë brenda pak muajve që ta tejkalojnë një krizë të madhe në mes tyre, e cila pritej të rezultonte me shkarkimin e Salihut nga posti i sekretarit të përgjithshëm të FFK.

Sot është mbajtur mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, prej të cilës ishte paralajmëruar shkarkimi i Salihut pas përqarjeve të thella e të ashpra me presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Por, kjo nuk ka ndodhur.

Madje, në njoftimin e FFK-së pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv askund as që përmendet rasti “Ademi-Salihu”, por në fotografinë nga kjo mbledhje, në mes Salihut e Ademit shihet anëtarja Vjollca Krasniqi, gruaja e vetme anëtare e Komitetit Ekzekutiv.

Por, burimet e afërta me zhvillimet në FFK thonë se Ademi e Salihu e kanë arritur një “paqe të zorit” pasi i janë frikësuar njëri-tjetrit për publikim të keqpërdorimeve që janë bërë brenda institucionit të futbollit viteve të fundit dhe për keqpërdorimin e pozitave zyrtare.

Madje, thuhet se të dy ata kanë qenë të paralajmëruar e të kërcënuar qysh më herët nga njëri-tjetri për publikim të shumë gjërave që nuk i din opinioni e që kanë ndodhur brenda instucioni të futbollit kosovar.

E njëra nga këto sekrete ka të bëjë me një letër të që kishte ardhur nga UEFA-s para një viti, përmes së cilës Komiteti i Etikës kërkonte nga Ademi dëshmi për pafajësi për shkak procesit gjyqësor ndaj tij, në të cilin Ademi i ishte shqiptuar edhe një dënim me burg, por që pastaj Apeli lëndën e tij tashmë e ka dërguar në rigjykim. Në të kundërtën UEFA e kishte bërë të qartë se nuk do ta njohë mandatin e Ademit, gjë që është mbajtur në fshehtësi jo vetëm nga Ademi por edhe nga Salihu.

Për të mos ndodhur më e keqja secili nga ta ka lëshuar pe për ta arritur pajtimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër që Ademi e Salihu kalojnë kriza të mëdha, në të cilat thuhet se gati ka pasur edhe konfrontime fizike.

Në muajin shkurt kishte raportime për një përleshje fizike në mes tyre, por Ademi e Salihu përmes një kumtese të përbashkët e kishin mohuar përleshjen, por i kishin konfirmuar përqarjet, mospajtimet e madje edhe debatet me tone të larta në mes tyre.

Besohet se krejt këto probleme të thella në FFK kanë ndikuar direkt në rënien e madhe edhe të Kombëtares së Kosovës në arenën ndërkombëtare, kurse futbollit brenda kufijve i është ndalur ora.