Lulzim Basha ka aftësinë e paimagjinueshme për ta shndërruar çdo sukses të mundshëm në disfatë. Që prej të dielës, kur ai u zgjodh për herë të tretë në krye të PD-së, me 81% të votave, debati mes demokratëve është ai i manipulimit të zgjedhjeve brenda partisë.
Ish presidenti Nishani e akuzon për një maskaradë elektorale ku nuk u lejuan të shprehnin vullnetin e tyre me mijëra militantë dhe ku një person votoi deri në 7 herë. Një nga themeluesit e PD, Arben Imami, i kujton mbajtjen sekret të listave, gjë që e bëjnë vetëm organizatat terroriste. Ish kreu i KQZ-së Arben Ristani, që i dha në mënyrë krejtësisht të dyshimtë të vetmen fitore që ka korrur ndaj Ramës, flet për “zgjedhje alla Luli”, pa asnjë rregull dhe modalitet.
Një nga konkurentët që mori 15% të votave, Agron Shehaj, u ankua për përjashtimin e vëzhguesve të tij gjatë votimit, ndërsa tjetri, Fatbardh Kadilli, numëroi kushtet e pabarabarta të një gare, që në fund u fitua nga ai që ka edhe gurin dhe arrën.
Pra, po të ulesh dhe të krahasosh të gjitha argumentat që Basha përdor kundër manipulimit të rezultatit të 25 prilli nga Edi Rama, janë fiks të njëjta me ato që rendisin kundërshtarët e tij brenda PD-së.
Konkluzioni që gëlon në publik nga përkimi kohor i këtyre dy fabulave është i thjeshtë: këtu gjithësecili vjedh atë që ka mundësi, Rama kontrollonte gjithë Shqipërinë dhe rrëmbeu votat e saj, Basha vetëm PD-në dhe bëri në përmasë më të vogël po të njëjtën gjë.
Prandaj pyetjet që ngrihen në këtë rast janë: pse duhej që Basha ta afronte me një muaj garën e brendëshme në parti? Pse duhej që ai të krijonte mbivendosje dhe kakofoni mes zgjedhjeve të blera nga Rama dhe atyre plot kontestime për lidershipin e opozitës? Kujt i shërbente ç’fokusimi dhe shpërndarja e vëmendjes nga paratë e derdhura në funksion të 25 prillit, përdorimi i bandave për të kërcënuar votuesit, blerja e votave nga binomi Toma- Qifja?
Dhe këtu çështja nuk shtrohet aspak në aspektin moral se PD-ja kishte mundësinë të bënte një garë të përkryer për ta servirur si shembull demokracie dhe respektimi të pakicave. Këtë sensibilitet, edhe nëse e ka pasur ndonjëherë, kjo parti e ka humbur me kohë. Ajo nuk e ka, as ambicien, as preokupimin për të shërbyer si një kundërmodel i rilindjes në shoqërinë shqiptare.
Por, qoftë edhe duke qenë përafërsisht të ngjashëm me PS-në e sotme, po aq autoritarë dhe shpërfillës ndaj atyre që mendojnë ndryshe, demokratët e kishin mundësinë që së paku, sa për sy e faqe, mos i mbivendosnin krimit elektoral të Ramës të njëjtat elemente në garën brenda partisë së tyre. Qoftë dhe vetëm për çështje fasade, ata duhet ta kishin lënë publikun të mbllaçiste deri në fund kasaphanën e fund prillit.
Ata e humbën edhe këtë shanc.
Basha nuk pati as këtë kujdes minimal për të mos i konsumuar dy mëkate të ngjashme në të njëjtën kohë. Ai vuri veton për afrimin e zgjedhjeve nga korriku në qershor, për ta mbyllur sa më shpejt llogaridhënjen për sjelljen e tij katër vjeçare në opozitë, duke ngritur edhe njëherë dyshimet e të gjithë idhtarëve të teorive konspirative, se ai ka një pakt të fshehtë me Ramën, për të mbuluar mëkatet e mëdha të pushtetit.
Natyrisht, për këtë hipotezë që gëlon sa në selinë e LSI-së po aq dhe në minigrupet konspiracioniste anti Soros, nuk kemi ende asnjë provë. Askush nuk mund ta akuzojë konkretisht liderin e opozitës se paguhet për ti shërbyer kryeministrit.
Por ama, sjellja e Bashës ka çuar edhe njeherë ujë pikërisht aty ku i duhej Ramës. Pak rëndësi ka se një gjë e tillë është bërë me qëllim apo nga naiviteti meskin për të mos u përballur me realitetin e hidhur.
Fakti është se nga zgjedhjet në PD edhe njëherë i fituar doli pushteti, të cilit e vetmja alibi i ka mbetur relativizimi i së keqes.
Basha nuk e humbi as këtë rast për të dëshmuar, se sa herë i duhet të zgjedhë mes halleve të veta banale dhe fateve të popullit opozitar (që është disa fish më i madh në numur sesa votuesit demokratë), ai reket ta përdorë partinë si mburojë për të parat. Edhe këtë herë bëri të njëjtën gjë duke u shfaqur si një miniaturë e profilit autoritar të Ramës.