MENU
klinika

Buzë liqenit të Shkodrës

Syri i Sheganit, perla e pazbuluar e natyrës

17.06.2021 - 11:01

Shqipëria është e pasur më natyrë të virgjër dhe peizazhe përrallore. Një ndër to i cili kohët e fundit po tërheq edhe vëmendjen e shumë pushuesve është edhe Syri i Sheganit. Si një ndër nga destinacionet e zbuluara së fundmi kjo zonë konsiderohet ndër më të bukurat dhe më me vlerë në bregun e liqenit të Shkodrës.

I pozicionuar rreth 40 minuta larg qytetit verior, ky monument natyre i kategorisë së tretë, është kthyer në destinacionin ideal për të kaluar një ditë ndyshe plot me adrenalinë. Syri i Sheganit si një perl natyrore të fshehur buzë Liqenit të Shkodrës, është ideali për të realizuar piknik apo ecje në natyrë.

Ky destinacion gjendet në afërsi të fshatit Gashaj, i cili është pjesë e njësisë administrative Bajzë dhe për të arritur pranë këtij thesari të çmuar përveç rrugës automobilistike, kjo pikë mund të vizitohet edhe nëpërmjet rrugëve ujore me varka. Bukuritë natyrore të kësaj zone janë interesante të eskplorohen edhe me kajak, apo edhe stand up paddle, për të përjetuar një eksperincë unike dhe të veçantë në këtë zonë.

Syri i Sheganit, foto nga Eco Mendje

Syri i Sheganit, foto nga Erald Halili

Syri i Sheganit, foto nga Albanian Water Sport

Karakteristika e burimeve karstike

Syri i Sheganit është një vend tërheqës me bukuri të jashtëzakonshme, me ujin e freskët dhe të kristaltë i cili buron nga thellësia e tokës. Natyra përreth këtij burimi natyror të magjepsë duke krijuar një panoramë unike me ajrin e pastër, si edhe me tërësinë e bimëve të kësaj zone.

Syri i Sheganit është një burim i madh karstik, që del vertikalisht në çarjet tektoniko-karstike dhe lidhet me dy burime të tjera të këtij lloji. Përveç Syrit të Sheganit aty pranë janë edhe dy hurdhana (pellg me ujë), të cilat të treja formohen nga uji nëntoksorë.

Uji i Syrit të Sheganit i cili vjen nga ujërat karstike të Alpeve Perëndimore të Shqipërisë, del nga një oxhak me thellësi rreth 22 – 28 m.

Sipas studiuesve eksplorimet e deritanishme kanë arritur deri në gjatësinë 80 m të rrugës që bëjnë ujërat e këtij burimi, pasi një shpellë e shëmbur pengon eksplorimin, por mendohet që thellësia e tij është më e madhe.

Si pjesë e liqenit të Shkodrës edhe Syri i Sheganit është i pasur me peshq e gjallesa të tjera duke e kthyer edhe këtë zonë në një vend të rëndësishëm të faunës shqiptare. Pozicioni gjeografik, afërisa me shumë atraksione të tjera ia shton veçantinë këtij monumenti natyre, që ndodhet shumë afër më Koplikun, Razmën, apo dhe Reçin këto dy të fundit (pra, Razma dhe Reçi) janë pjesë e Parkut Bashkiak të Shkrelit. Pra një fundjavë në ketë zonë do të ishte një mozaik i bukur natyror, i gërshëtuar me liqen, mal, fushë, kulinari bio tipike e kësaj zone, ajër i pastër për mushkëritë dhe panoramë e bukur për sytë! Mund ta filloni turin tuaj me rreth 6 m mbi nivelin e detit e më pas mbetet në dorën tuaj, sa afër mund t’i afroheni qiellit duket ngjitur malet përreth.

Syri i Sheganit, foto nga Eco Mendje

Legjenda

IntoAlbania ka realizuar një bisedë me Urim Selgjekaj (Lemmy), banorë i zonës së Koplikut i cili na ka rrëfyer një gojëdhënë mbi këtë mrekulli të natyrës shqiptare. Lemmy thekson se ekziston një legjend ku shumë kohë më përpara, një udhëtar vjen me varkën e tij, natën vonë në këtë zonë dhe kërkon strehim në një nga shtëpitë  ku sot ndodhen tre gropat. Mendohet që këtë tre gropat kanë qenë shtëpitë e tre vëllezërve. Dy vëllezërit e parë nuk ia hapën derën, vetëm vëllai i tretë, ku sot është syri i Sheganit e priti atë në shtëpi. Sipas gojëdhënës vëllai i tretë mendohet se e ka pasur emrin Shegan dhe prandaj sot vendi quhet Syri i Sheganit, për shkak të formës që ka dhe se mëparë kjo gropë ka qenë shtëpia e Sheganit.

Sipas gojëdhënës theksohet se udhëtari i mallkoj dy vëllezërit e tjerë, dhe si rezultat i mallkimit shtëpia e tyre u kthye në hurdhë. Ndërkohë Syri i Sheganit është formuar më vonë si gropë, si pasojë e erozionit të tokës.

Këshillohet

Duke qenë se këto gropa kanë thellësi të madhe këshillohet që të laheni në zonat ku ju rekomandojnë guidat dhe të dini mirë notin. Uji këtu në krahasim me detin është edhe më i ftohtë si pasojë e burimeve nëntokësore.

Si një destinacion i cili ka pak që është zbuluar, i fshehur në natyrë, është ideali për piknik mes miqve apo familjes. Por pakujdesia e vizitorëve bën ndonjëherë që në të harron disa mbetje natyrore. Për mirëmbajtjen e mjedisit dhe për ruajtjen e të tilla bukurive dhe atraksione turistike këshillohet mbajtja pastër e ambientit.

Syri i Sheganit, foto nga Eco Mendje

Syri i Sheganit, foto nga Eco Mendje

intoalbania