Historiani dhe arkeologu i shquar francez, Leon Hëzej (Leon Heuzey, 1831-1922), nipi i strategut Napolon, ka qenë anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura dhe i Akademisë së Mbishkrimeve dhe Letërsisë në Paris.
Pas ekspeditës arkeologjike në Maqedoni, ku mblodhi mjaft të dhëna arkeologjike, që i botoi në librin “La mission arhelogigue de la Macedoine” (Misioni arkeologjik në Maqedoni), erdhi në Shqipëri.
Zbriti në Vlorë dhe u nis në Apolloni.
Këtu përshkruan afresket e kishës në Apolloni dhe objektet arkeologjike, që i përcakton të ardhura nga Greqia, ndërsa Apolloninë si koloni të korintasve.
Mjaft fragmente dorike, tempuj ndërtime publike, shtylla e tempullit të Dianës, Akropoli etj., që u gjetën në Apolloni e kanë origjinën nga Korinti- shkruan Hëzej.
Hëzej (Leon Heuzey) e vizitoi Shqipërinë më 1861, për të studiuar terrenin ilir e maqedon, të përshkuar nga Cezari në luftë me Pompein.
Zbuloi i pari gërmadhat e Orikut dhe planimetrinë e parë të mureve rrethuese të Apollonisë. Kopjoi të gjitha mbishkrimet greke, latine dhe bizantine që ndeshi në këtë udhëtim dhe paraqiti në vizatime një tok pjesësh arkitektonike e skulpturash nga Pojani dhe Durrësi.
Pasi la Apoloninë, shkon në Durrës, ku u ndesh me shumë ndërtime romake të kohës së Trajanit dhe Adrianit, si dhe ato bizantine.
Gjetjet arkeologjike të Epidamit i sollën ndërmend ekspeditën e Pompeut, që zbarkoi në Orikum në vitin 49 para Krishtit, pët t’u ndeshur në brigjet e Ilirisë me trupat ushtarake të Cezarit në Durrës.
Një vit më pas, ato i trajtoi në librin “Veprimet ushtarake të Jul Cezarit”, Paris, 1886.
Më 1861 u largua në Korfuz, duke lënë pas një kulturë materiale me vlerë autuktone ilire të periudhave greko-romake që sundimi osman i kishte lënë në harresë. Prandaj për të mos humbur një pjesë të objekteve arkeologjike i dërgoi në muzetë e Parisit, Romës e Vjenës.
Gjatë udhëtimeve në Tesali, Hëzej banoi në një fshat arvanitas, ku përshkruan me pasionet kostumet e shqiptarëve, por ajo që e befasoi ishte se shqiptarët i mbanin gratë pranë tyre dhe nuk i largonin kur vinin miqtë.
Këto përshtypje të tjera për shqiptarët, i boton në librin: “Excursion dans la Thessalie turque en 1858” (Ekskursion në Thesalinë turke, më 1858).
Monumentet më me vlerë historike e artistike, ndër to mbishkrimin e fshatit Arapaj, që bën fjalë për ujësjellësin e Dyrrahut (shek.II) i nisi për në muzeun e Luvrit.
Botoi bashkë me arkitektin H.Dame, dy vëllime me titullin “Mision arkeologjik në Maqedoni” (Mission Archeologique de Macedoine, 1876).
Vepra tjetër “Veprimet ushtarake të Jul Cezarit” (Les Operations militaires de Julis Cesar, Paris 1886) në pjesën më të madhe, zhvilluar në truallin ilir, ka edhe interes gjeografik e folklorik për gjendjen në shek. XIX.