MENU
klinika

AMF publikon projektrregulloren

Si do të bëhet llogaritja dhe sa do të jetë vlera minimale e Fondit të Kompensimit

17.06.2021 - 18:06

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në zbatim të Ligjit të ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit” ka hartuar dhe ka publikuar për konsultim publik një tjetër projektrregullore.

Dokumenti ka të bëjë me llogaritjen e Fondit të Kompensimit, rastet e prekjes, rastet e ndërhyrjes dhe rivendosjes së vlerës minimale të këtij fondi” dhe përcakton mënyrën e llogaritjes së fondit, kontributin e çdo anëtari të Byrosë Shqiptare të Sigurimit në vlerën minimale të fondit të kompensimit si dhe rastet e prekjes, ndërhyrjes dhe afatet e rivendosjes së kësaj vlere.

Në këtë projektrregullore specifikohet gjithashtu se Byroja Shqiptare e Sigurimit duhet të mbajë në çdo rast një vlerë minimale prej 150 milionë lekësh. Kjo vlerë financohet nga të gjithë anëtarët e Byrosë në mënyrë të barabartë dhe shërben si fond garancie për Fondin e Kompensimit.

Në dokument përcaktohen mundësitë dhe modalitetet e investimit të Fondit të Garancisë, si edhe rastet e prekjes së tij nga ana e Byrosë dhe afatet për rivendosjen e kësaj vlere minimale.

Llogaritja e Fondit të Kompensimit që i takon vitit aktual duhet të jetë në masë të tillë që të përballojë pagesat e dëmeve objekt i fondit të kompensimit.

Ky Fond llogaritet duke vlerësuar kontributin që i takon vitit aktual dhe provigjonet për dëmet e ndodhura në vitet e mëparshme që mbulohen nga Fondi i Kompensimit, sipas nenit 41, të ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.”

Gjithashtu rregullorja përcakton edhe mënyrën e llogaritjes dhe mbajtjes së balancës nga Byroja Shqiptare e Sigurimit në fund të çdo viti.

Kështu, balancat e llogarisë së Fondit të Kompensimit më datë 31 dhjetor të çdo viti, do të pasqyrohen në bilancin e Byrosë, si detyrime financiare për vitin pasardhës.

Në fillim të vitit financiar pasues, Byroja njofton shoqërinë e sigurimit mbi mbartjen e detyrimit të fondit, i cili i shtohet kontributit të fondit të kompensimit, për vitin aktual.

Pasi t’i nënshtrohet procesit të konsultim publik, projektrregullorja pritet të miratohet nga Bordi i Autoritetit dhe parashikohet të hyjë në fuqi paralelisht me ligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, më 1 korrik 2021.

Në bazë të ndryshimeve ligjore, të siguruarit i lind e drejta që në rastin e një aksidenti të shkaktuar nga një mjet i pasiguruar, ose i paidentifikuar, ta bëjë kërkesën për dëmshpërblim direkt te shoqëria e tij e sigurimit, duke shmangur kështu dërgimin automatik të rastit te Byroja Shqiptare e Sigurimit.

Kliko këtuProjektligji Fondi i Kompensimit

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN