MENU
klinika

Takim me Ramën dhe zyrtarë të tjerë

Zyrtari i lartë i SHBA, Reeker viziton Tiranën më 30 qershor

18.06.2021 - 20:27

Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip T. Reeker, do të zhvillojë një tur vizitash në Europë, për t’u ndalur edhe në Shqipëri e më pas në Maqedoninë e Veriut. Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Mësohet se Reeker do ta nisë vizitën nga Milano, ku do të qëndrojë për 2 ditë, konkretisht më 20-22 qershor, ndërsa në Tiranë është përcaktuar që të vijë më 30 qershor dhe në Ohër 1deri në 3 korrik.

Siç njofton edhe ambasada, Reeker do të pritet në Tiranë nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe fushat e shqetësimit të ndërsjellë. Më pas në 1 korrik, ambasadori Reeker do të mbërrijë në Ohër, ku do të marrë pjesë në Konferencën “Rruga për në Prespë” për të theksuar mbështetjen e SHBA për dialogun e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin drejt stabilitetit dhe progresit në të gjithë rajonin.

Po ashtu ai do të takohet edhe me kryeministrin Zaev, ministrin e Jashtëm Osmani dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar përparësitë e përbashkëta për Ballkanin Perëndimor.