MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Vera e nxehtë e politikës shqiptare

18.06.2021 - 22:27

Nga Alfred Peza

Atëherë kur besohej se afrimi në pranverë i zgjedhjeve të 2021, do i jepte mundësinë elitës së Tiranës të pushonte e qetë në verë, po ndodh e kundërta. Uragani i reformës në drejtësi, prej pesë vjetësh i ka shkrirë në një të gjitha stinët politike në vend, ndaj as kjo ku jemi futur tashmë nuk pritet të jetë ndryshe nga më parë. Madje urdhëri ekzekutiv i Presidentit të SHBA Joe Biden kundër destabilizuesve të Ballkanit edhe në Shqipëri, e bën këtë periudhë deri në shtator, edhe më të nxehtë se më parë.

Ndaj as përfundimi dhe çertifikimi zyrtar i zgjedhjeve të 25 prillit, as votimi i Parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës në prag të mbylljes së këtij sezoni politik, as fillimi i Kampionatit Europian të Futbollit dhe as mbyllja një e nga një e studiove të debateve televizive, nuk po ndikojnë në uljen e temperaturave politike. Përkundrazi. Sa më shumë duket sikur po i afrohemi korrikut dhe gushtit të pushimeve, aq më shumë ato veç rriten e rriten.

Ndryshe nga herët e tjera, këto temperatura nuk janë vetëm së jashtmi, të matshme në atmosferë. Por këto temperatura po rriten më shumë së brendshmi, ndaj efektet e saj nuk shihen, por vetëm ndihen. Sepse ajo është futur tashmë brenda shoqërisë. Brenda medias. Brenda partive politike. Brenda trupës së re të deputetëve që do të ulen në shtator në Kuvend. Brenda botës së krimit. Brenda botës së korrupsionit. Brenda klasës së makatarëve.

Ajo po futet thellë e më thellë si një virus në trupin e gjithëkujt, për ti bërë skanerin e brendshëm secilit, duke nisur ti fusi jo vetëm ethet por edhe frikën fajtorëve. Ky është i nxehti i një lloji tjetër nga ajo që kemi parë të kalojë historikisht mbi këtë truall. Është versioni i ri i etheve që sjellin anekënd shumë pritshmëri. Shumë shpresë. Shumë ankth. E shumë padurim. Aq sa nisin e përhapin atë lloj presioni pozitiv, që sjell më pas hopin e madh, i cili e çon vendin në një stad të ri cilësisht ndryshe.

Për aq kohë sa Departamenti Amerikan i Shtetit e çoi shënjestrën aq lart, sa vuri në kryq liderin më të rëndësishëm politik të 30 viteve të postkomunizmit, është e kuptueshme që kushdo tjetër poshtë Sali Berishës në këtë hierarki ndihet potencialisht jo vetëm i prekshëm. I goditshëm. I anatemueshëm. I atakueshëm. Por edhe i ndëshkueshëm, për të gjitha krimet e pushtetit që mund të ketë bërë dhe korrupsionin e supozuar, përgjatë qenies pjesë e qeverisjes dhe administrimit të fondeve publike.

Kjo ka bërë që zilkat e dikurshme të ankthit, të jenë shndërruar këto kohë, në këmbana të fuqishme alarmi për këdo që e di shumë mirë brenda vetes se çfarë ka bërë. Pavarësisht nëse deri tani kanë qenë ose jo pjesë e proceseve të hetimit, të akuzës në emër të shtetit apo të gjykimit nga ana e organeve të drejtësisë. Sepse kur u shpall “non grata” Sali Berisha, që konsiderohet si njeriu që ishte atje në krye ku u instalua dhe funksionoi kultura e pandëshkueshmërisë, kuptohet që gjithkush tjetër nuk gëzon dot më imunitet nga qenia i barabartë me të tjerët përpara sistemit të ri të drejtësisë.

Lista e atyre që i është mohuar apo anulluar viza nga Ambasada e SHBA në Tiranë, sa vjen dhe zgjatet, ndërsa steka e hierarkisë së emrave që bëjnë pjesë në të vetëm sa rritet e rritet. Ndaj askush nuk bën më përjashtim nga mundësia për të qenë pjesë e saj. Pavarësisht nëse janë pjesë e pushtetit të drejtësisë, legjislativit, të të gjitha niveleve të ekzekutivit, medias, shoqërisë civile, sektorit privat apo botës së krimit. Lista e zezë e SHBA nuk është gjithçka, por lakmuesi që provon modelin e gjithkujt që duhet të ndihet i rrezikuar dhe pasqyra për të parë atë që do ndodhi nesër me mëkatarët dhe fajtorët.

Vendimi i shpalljes “non grata” të Sali Berishës dhe ai për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës, ka shkaktuar brenda lidershipit të kampit opozitar, një cunam të vërtetë politik. Deri në shtator PD ose duhet të pranojë standardin që vetë e ka kërkuar për të tjerët, duke e larguar Sali Berishën nga grupi i saj Parlamentar, ose duhet ti shndërrohet atij në bunker për tu mbrojtur duke rrezikuar që të pësojë pas kësaj edhe vetë, fatin e liderit të vet historik.

Ndërsa LSI e ka po kaq të vështirë nesër, nëse i ndodh e njëjta gjë, me liderin e saj “de facto”. Sali Berisha dhe Ilir Meta mund të tërheqin në humnerë, edhe Lulzim Bashën, nëse ai nuk do dijë siç po dëshmon deri tani që të ndahet prej tyre. Çka do ta turbullonte aq keq skenën politike opozitare, sa do ti duhej pas kësaj, jashtëzakonisht shumë kohë dhe energji për tu kthjelluar.

Deri atëherë, shqiptarët le ti gëzohen pushimeve verore pas një viti e gjysëm mbyllje nga pandemia globale, sepse tani është radha e mëkatarëve që të rrijnë pa gjumë.

REMOTE_ADDR:[]