“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Çfarë duhet të dimë mbi gurët në Fshikëzën Urinare?
Mjeku:
Gurët në Fshikëzën Urinare janë masa të forta kriprash minerale të vendosura në Fshikëz. Gurët krijohen kur mineralet në urinën e koncentruar kristalizohen duke formuar gurë. Kjo zakonisht ndodh kur keni vështirësi në zbrazjen e plotë të fshikëzës urinare.
Në rastin kur kemi të bëjmë me gurë të vegjël ata mund të kalojnë lehtësisht, pra të dalin jashtë trupit nëpërmjet urinimit pa patur nevojë për trajtim, por jo pak herë ndodh që këta gurë të kenë nevojë për trajtim medikamentoz deri edhe në kirurgji duke qenë se është e pamundur të kalojnë në ureter. Gurët në fshikëz nëse lihen pa trajtuar për një kohë të gjatë mund të çojnë në infeksione apo edhe komplikacione të tjera mjekësore.
Simptomat
Ndonjëherë gurët në fshikëzën e urinës – edhe ata me përmasa të mëdha – nuk shkaktojnë probleme. Por në rastet kur guri irriton murin e fshikëzës ose bllokon rrjedhjen normale të urinës, shenjat dhe simptomat dalluese janë:
- Dhimbje në pjesën fundore të abdomenit (barkut)
- Dhimbje gjatë urinimit
- Urinim i shpeshtë
- Vështirësi gjatë urinimit ose urinim me ndërprerje
- Prezencë gjaku në urinë
- Urinë me ngjyrë të errët
Shkaktarët
Siç theksuam edhe më lart gurët në fshikëz krijohen në rastet kur fshikëza nuk arrin të zbrazet plotësisht. Kjo bën që urina të koncentrohet dhe më pas të kristalizohet dhe të formojë gurë.
Po kështu në formimin e gurëve mund të ndikojnë edhe lloje të caktuara Infeksionesh apo edhe gjendje të caktuara shëndetësore, të cilat ndikojnë në aftësinë e fshikëzës për të mbajtur, ruajtur dhe eleminuar urinën duke çuar në këtë mënyrë në formim të gurëve në fshikëzën e urinës.
Arsyet shëndetësore që më së shpeshti shkaktojnë gurë në fshikëz përfshijnë:
- Zmadhimi i gjendrës së Prostatës. Një prostatë e zmadhuar (hiperplazia beninje e Prostatës) mund të shkaktojë gur në Vezikën Urinare të meshkujt. Prostata e zmadhuar mund të pengojë rrjedhjen normale të urinës duke mos lejuar zbrazjen e plotë të fshikëzës.
- Nerva të dëmtuara. Normalisht, nervat janë ato që përcjellin mesazhet nga truri në muskujt e vezikës duke komanduar muskujt e vezikës të tkurren (shtrengohen) apo lirohen. Nëse këto nerva dëmtohen kjo si pasojë e ; Strok-ut, dëmtimeve të palcës kurrizoe apo probleme të tjera shëndetësore, atëherë ndodh që vezika urinare nuk arrin të zbrazet plotësisht. Kjo gjendje njihet si Fshikëza neurogjenike.
Të tjerë shkaktarë për gurët në vezikë përfishijnë:
- Inflamacion i Vezikës, që zakonisht shkaktohet nga infeksionet e traktit urinar ose si pasojë e aplikimit të radioterapisë në zonën pelvike, mund të çojnë në formimin e gurëve në vezikë.
- Pajisjet mjekësore. Kateterët e fshikëzës — janë tuba të hollë që futen përmes uretrës për të ndihmuar drenimin e urinës nga fshikëza — mbajtja e tyre mund të çojë në formim të gurëve në fshikëzën e urinës.
- Gurët në veshka. Gurët që formohen në veshka nuk janë të njëjtë me ata të fshikëzës urinare.Ata zhvillohen në mënyra të ndryshme. Por ndodh që gurët e vegjël që formohen në veshka të transferohen (kalojnë) poshtë në fshikëz dhe nëse nuk arrijnë të dalin jashtë organizmit nëpërmjet urinimit mund të rriten duke u transformuar kështu në gurë të fshikëzës urinare.
Komplikacionet
Gurët e vezikës urinare të cilët nuk arrijnë të kalojnë poshtë – edhe ata që nuk shkaktojnë simptoma – mund të çojnë në komplikacione të tilla si:
- Probleme kronike të Vezikës Urinare. Gurët e patrajtuar të vezikës urinare mund të shkaktojnë vështirësi afatgjata në urinim, të tilla si dhimbje gjatë urinimit ose urinim të shpeshtë. Gurët e vezikës mund të ngecen në hapësirën ku urina del nga fshikëza duke bllokuar rrjedhjen normale të urinës.
- Infeksione të traktit urinar. Infeksionet e përsëritura bakteriale të traktit urinar mund të çojnë në formimin e gurëve në fshikëzën urinare.
Parandalimi
Krijimi i Gurëve në fshikëzën e urinës zakonisht është vështirë të parandalohet por gjithësesi ju mund të ulni shanset për t‘u prekur nga kjo patologji duke ndjekur dy rregulla të thjeshta:
- Konsultohuni me mjekun tuaj nëse vini re ndryshime (probleme) me urinimin.Diagnoza dhe trajtimi i hershëm i prostatës së zmadhuar ose i ndonjë patologjie tjetër urologjike mund të reduktojnë rrezikun e formimit të gurëve në fshikëz.
- Pini sa më shumë lëngje. Konsumimi i lëngjeve, sidomos ujë, mund të ndihmojë në parandalimin e krijimit të gurëve në fshikëz sepse lëngjet hollojnë përqëndrimin e mineraleve në fshikëz. Përsa i përket sasisë së ujit që duhet të konsumoni është individuale dhe varet nga mosha, përmasat, gjendja shëndetësore dhe niveli i aktivitetit fizik nëse kryeni, prandaj në të tilla raste është mirë të konsultoheni gjithmonë me mjekun mbi sasinë ditore të ujit që duhet të konsumoni.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.