MENU
klinika

COVID-19

Besuan te vaksinat kineze, por këto vende po përballen me shpërthime të reja

23.06.2021 - 16:15

Nga Sui Lee Wee, The New York Times

Mongolia i premtoi popullit të saj një “verë pa COVID”. Bahreini tha se do të kishte një “rikthim në normalitet”.  Ishulli i vogël i Seychelles synonte të gjallëronte ekonominë e vendit. Të tre vendet i bazuan pretendimet e tyre, pjesërisht, në vaksinat kineze.

Por në vend të eliminimit të koronavirusit, këto tre vende po luftojnë me rritjen e rasteve. Kina nisi fushatën e saj të vaksinimit vitin e kaluar duke u zotuar të siguronte vaksina të sigurta dhe efektive në parandalimin e rasteve të rënda të COVID-19, raporton abcnews.al

Tani, shembujt  nga disa vende na kanë treguar se vaksinat kineze mund të mos jenë shumë efektive në parandalimin e përhapjes së virusit, veçanërisht të varianteve të  reja. Përvojat e këtyre vendeve paraqesin një realitet të ashpër me të cilin përballet një botë post-pandemike: Shkalla e rimëkëmbjes mund të varet nga vaksinat që qeveritë u japin njerëzve.

Në Seychelles, Kili, Bahrain dhe Mongoli, 50% deri 68% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara, sipas Our World in Data. Të katërta vendet u renditën në mesin e 10 vendeve  me shpërthimet më të këqija të COVID gjatë javës së kaluar, sipas të dhënave nga The New York Times.

Dhe të katërta vendet kanë përdorur vaksinat kineze, Sinopharm dhe Sinovac Biotech. Shkencëtarët nuk e dinë ende arsyen pse disa vende me norma relativisht të larta të vaksinimit  kanë regjistruar shpërthime të reja.

Variantet,  masat që janë lehtësuar shumë shpejt dhe sjellja e pakujdesshme e personave pas vaksinimit  mund të jenë disa nga arsyet. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 45% e popullsisë është vaksinuar plotësisht, kryesisht m Pfizer-BioNTech dhe Moderna. Rastet kanë shënuar rënie deri në  94% gjatë 6 muajve.

Izraeli ka siguruar doza të mjaftueshme nga Pfizer dhe është vendi i dytë më shkallën më të lartë të vaksinimit në botë, pas Seychelles. Numri i rasteve të reja të përditshme të COVID-19 në Izrael tani është rreth 4.95 për 1 milion banorë, raporton abcnews.al

Në Seychelles, ku shumica e popullsisë është vaksinuar me vaksinën kineze, ky numër është më shumë se 716 raste për 1 milion banorë. Pabarazitë e tilla mund të krijojnë një botë në të cilën ka tre lloj vendesh – kombet e pasura që përdorën burimet e tyre për të siguruar doza të Pfizer-BioNTech dhe Moderna, vendet e varfra që janë larg imunizimit të shumicës së qytetarëve dhe ato vende që janë  vaksinuar plotësisht por janë pjesërisht të mbrojtura.

Kina, si dhe më shumë se 90 vende që kanë vaksinuar popullsinë me vaksinat  kineze, mund të jenë pjesë e grupit të tretë. Këto vende do të detyrohen  të vendosin bllokime, kufizime në jetën e përditshme për muajt ose vitet që vijnë.

Dhe ndërsa më shumë qytetarë vënë në dyshim efektivitetin e dozave kineze, hezitimi i njerëzve do të rritet edhe më shumë. Një muaj pasi mori dozën e tij të dytë të Sinopharm, minatori Otgonjargal Baatar u sëmur dhe rezultoi pozitiv për COVID-19.

31-vjeçari kaloi nëntë ditë në një spital në Ulaanbaatar, kryeqyteti i Mongolisë. Ai tha se tani po vinte në dyshim mbrojtjen e vaksinave.

“Njerëzit ishin të bindur se nëse do të vaksinoheshim, do të kalonin një verë pa Covid”, tha ai. “Tani rezulton se kjo nuk është e vërtetë”.

Pekini e cilësoi diplomacinë e vaksinave si një mundësi për të dalë nga pandemia . Udhëheqësi më i lartë i Kinës, Xi Jinping, u zotua se do të shpërndante vaksinat kineze në të gjithë botën. Ai e quajti atë një “të mirë publike globale”.

Mongolia përfitoi nga oferta e  Kinës, duke marrë miliona doza të Sinopharm. Vendi shumë shpejt lehtësoi kufizimet, pasi vaksinoi 52% të popullsisë së saj. Por të dielën, Mongolia regjistroi 2,400 raste të reja,  katërfishin e regjistruar një muaj më parë, raporton abcnews.al

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Kinës tha se nuk ka asnjë lidhje midis shpërthimeve të fundit dhe vaksinave të saj. Kina citoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë duke thënë se nivelet e vaksinimit në vende të caktuara nuk kishin parandaluar shpërthimet dhe se vendet duhet të vazhdonin të mbanin në fuqi kontrollet.

“Raportet dhe të dhënat përkatëse tregojnë gjithashtu se shumë vende që po përdorin vaksinat kineze kanë shprehur se ato janë të sigurta dhe efektive dhe kanë ndihmuar në  parandalimin e epidemisë,” tha ministria në një deklaratë.

Kina gjithashtu ka theksuar se vaksinat e saj janë efektive ndaj simptomave të rënda dhe jo transmetimin.  Asnjë vaksinë nuk parandalon plotësisht transmetimin dhe njerëzit ende mund të sëmuren pasi janë vaksinuar, por nivelet relativisht të ulëta të efikasitetit të vaksinave kineze janë identifikuar si një shkak i mundshëm i shpërthimeve të fundit.

Pfizer-BioNTech dhe Moderna kanë treguar më shumë se 90% efektivitet. Një shumëllojshmëri e vaksinave të tjera – përfshirë AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë 70% efektive.

Vaksina Sinopharm është 78.1% efektive ndërsa Sinovac 51%. Kompanitë kineze nuk kanë lëshuar të dhëna klinike për të treguar se si funksionojnë vaksinat e tyre në parandalimin e transmetimit.

Të hënën, Shao Yiming, një studiues i shëndetit publik me Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se Kina duhej të vaksinonte plotësisht 80% në 85% të popullsisë së saj për të arritur imunitetin e tufës.

Por sipas një studimi në Kili për efektivitetin e vaksinës ruse Sinovac tregoi se vaksina ishte më pak efektive se ato nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna në parandalimin e infeksionit midis individëve të vaksinuar, raporton abcnews.al

Pavarësisht nga kulmi i rasteve, zyrtarët si në Seychelles dhe Mongoli kanë deklaruar se Sinopharm, është efektive në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes. Batbayar Ochirbat, studiuesi kryesor i Grupit Këshillimor Shkencor për Emergjencat në Mongoli, tha se vendi kishte marrë vendimin e duhur duke vaksinuar popullsinë me vaksinat kineze, pasi kjo kishte ndihmuar në uljen e nivelit të vdekshmërisë në vend.

Të dhënat nga Mongolia treguan se vaksina Sinopharm  mbronte më shumë se AstraZeneca dhe Sputnik, sipas ministrisë së shëndetësisë. Arsyeja e rritjes së rasteve në Mongoli, tha Batbayar, është për arsye se vendi lehtësoi masat shumë shpejt  dhe shumica  besuan se ishin të mbrojtur edhe pas një doze.

“Unë mendoj se Mongolia festoi shumë herët”, tha ai. “Këshilla ime është që festa për mposhtjen e virusit të fillojë pas vaksinimit me të dyja dozat, kjo është ajo që shumë vende duhet të kenë parasysh.