Parkut arkeologjik të Amantias, në Vlorë, i shtohet një tjetër pasuri me vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm historike, por edhe kombëtare. Arkeologët kanë rënë në gjurmët e një varri të lashtë monumental, që daton që në shekullin III para erës sonë. Është një varr mbi 2,000-vjeçar, kohë kur qyteti antik i Amantias, mendohet të ketë qenë në kulmin e lulëzimit të tij.
Përfundon gërmimi për zbulimin e gjithë strukturës arkitektonike të varrit monumental, në parkuan arkeologjik të Amantias. Sikur bën me dije Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, gërmimet prej një periudhe dymujore të përfunduara, kanë sjellë rezultatet që ende janë në fazë studimore.
“Varri, që i përket tipit të mbular me qemer, është një ndër ekzemplarët e rrallë të kësaj natyre, që i ruan pothuajse të gjitha elementet arkitektonike. Përmasat e mëdha, veçoritë në elementet e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementet e mbulimit i japin monumentit vlera unikale.
Falë kësaj ndërhyrje, monumenteve të shumta dhe unikale të parkut arkeologjik të Amantias i shtohet tashmë edhe një tjetër pikë e vizitueshme në itinerarin turistik. Rezultatet e procesit të gërmimit dhe dokumentimit janë ende në fazë studimi nga specialistët përkatës, ndaj për kronologjinë e ndërtimit të varrit monumental mund të propozohet vetëm një datim paraprak – mendohet se daton rreth shek. III p.Kr”, – thuhet në njoftim.
Qyteti ilir i Amantias, me parkun arkeologjik, është dëshmi e historisë së vjetër të bregdetit të Jonit.
Disa nga rrënojat e tjera të qytetit antik përfshijnë Tempullin e Afërditës, Portën me hark, Varret monumentale etj. Nga një qytet me peshë, Amantia nisi ta humbiste pozicionin e saj, pas ndërtimit të Rrugës Egnatia.
Gjithsesi, Amantia përmendet si një qendër peshkopate në antikitetin e vonë, ku mund të dallohen dhe rrënojat paleokristiane të një bazilike. Si periudhë e braktisjes së qytetit, mësohet të ketë qenë shekulli VI pas Krishtit.
Parku arkeologjik i Amantias gjendet në zonën e Labërisë, në fshatin Ploç të Vlorës.
Nisur nga forma dhe mënyra e ndërtimit, mendohet se ky varr mund t’i përkasë ndonjë personaliteti mjaft të rëndësishëm për kohën.Gjatë gërmimeve për zbulimin e varrit monumental janë gjetur gjithashtu orendi të tjera, si qeramika të vjetra ëq janë ende në studim e sipër.
Sipas arkeologëve, në këtë zonë mendohet të jenë edhe 9 varre të tjera antike.