MENU
klinika

Nga Denis Dyrnjaja

Shqipëria e ka Gjykatën Kushtetuese në Venecia

26.06.2021 - 16:23

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias për padinë e Shoqatës së Bashkive të drejtuar nga Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës Voltana Ademi, për pavlefshmëri të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 ka krijuar një debat përtej atij juridik. Në fakt debati është i thjeshtë dhe parimor.

Jemi një republikë parlamentare ku Parlamenti është organi me fuqinë më të madhe kontrolluese dhe Gjykata Kushtetuese organi më suprem i interpretimit të kushtetutës dhe ligjeve të tjera në Republikën e Shqipërisë. Për rrjedhojë të këtij atributi madhor gjykata mendohet se ka të gjitha atributet ligjore, disponon në përbërjen e saj asetet e nevojshme dhe anëtarë me kapacitete të mëdha profesionale e integritet për të dhënë vendime jetike për shtetin dhe vendin.

Përveç kësaj gjykata disponon edhe këshilltarë dhe konsulentë të jurisprudencës që mund të japin ekspertizën dhe opinionin e tyre për çdo padi apo çështje sado e rëndësishme, e përgjithshme apo e veçantë qoftë ajo. Por ndërkohë Gjykata Kushtetuese përtej rolit interpretues dhe vendimmarrës në raport me çështje që lidhen me Kushtetutën, ka edhe një funksion tjetër, atë të krijimit të precedentit gjyqësor mbi të cilin ecet më pas edhe në raste të ngjashme në të ardhmen.

Thënë kjo do të jenë pikërisht vendimet e kësaj gjykate, bazuar mbi qëndrimet dhe pozicionet e arsyetimet e anëtarëve të saj që do të krijojnë bazën e praktikës gjyqësore kushtetuese të vendit, ose praktikën e akteve të jurisprudencës kushtetuese. Çështjet që ka tani në duar Gjykata Kushtetuese janë sa delikate, por edhe të paprecedenta. Ndaj ky është rasti që anëtarët e saj të tregojnë se janë në lartësinë e detyrës që kanë marrë përsipër të kryejnë.

Është fjala për kërkesën për pavlefshmëri të një procesi zgjedhor si ai i 30 Qershorit 2019 “Për zgjedhjen e organeve të pushtetit vendor në Republikën e Shqipërisë” dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës, me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë që ka votuar pro shkarkimit të kreut të shtetit duke renditur edhe shkeljet e kushtetutës në ushtrimin e detyrës. Por ndërkohë që i gjithë opinioni politik pret që kjo gjykatë të tregojë autoritetin dhe dinjitetin e saj profesional në lidhje me këto çështje, ajo zgjedh të shmanget duke e kaluar topin e analizës ligjore dhe kushtetuese te një institucion këshillimor ndërkombëtar, sikurse është Komisioni i Venecias.

Ky komision mblidhet vetëm 4 herë në vit që do të thotë se shqyrtimi i çështjes së zgjedhjeve prej tij do të marrë kohë disa muaj në rastin më të mirë, gjithnjë nëse kjo çështje do të jetë në axhendën prioritare të Komisionit. Por a ka kuptim të priten muaj të tërë për të marrë opinionin e Venecias kur tanimë kemi Gjykatën Kushtetuese që ka detyrim ligjor pikërisht zgjidhjen e këtyre çështjeve?! Adresimi në Venecia po justifikohet me marrjen e një opinioni më të kualifikuar. Por në fakt mund të merret edhe si shmangie nga pesha e përgjegjësisë së vendimeve me pasoja politike e shtetërore. Dhe ky është një fillim që të lë një shije të përzier mes dobësisë institucionale dhe asaj profesionale.

Ndaj do të ishte në dinjitetin e kësaj gjykate që të kryente vetë të gjithë procesin analitik dhe vendimmarrës si ajo e mendon dhe çmon atë që ka ndodhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe me rolin kushtetues të presidentit. Ne na duhet vendimi i saj me arsyetimin e saj ligjor, jo arsyetimi ligjor i Venecias me vulën e Gjykatës sonë Kushtetuese. Ndaj pasiguria ose shmangia për që të marrë përsipër vendimmarrje qofshin ato edhe delikate apo të koklavitura e vë në dyshim autoritetin e kësaj gjykate. Cilido të jetë vendimi, ne na intereson që Gjykata Kushtetuese të analizojë, çmojë dhe vendosë vetë, pa “u fshehur” pas Venecias.

Në të kundërt duhet të ndryshojmë emrin nga Gjykatë Kushtetuese në Gjykatë Noteriale që vulos arsyetimet e Venecias. Pra përtej retorikës politike dhe mediatike, Gjykata Kushtetuese duhet të tregojë se ekziston dhe funksionon jo si organ honorifik, por si organ themeltar i drejtësisë dhe garant i kushtetutës dhe demokracisë me qëndrimet dhe vendimet e veta.

Çdo argument se ekspertiza e huaj është e domosdoshme e se çështjet janë delikate, apo se ekspertiza e huaj është e gjithpranuar, thjeshtë tregon impotencën institucionale të kësaj gjykate që në fillesë të erës së saj të re, për të mos thënë edhe limitet e kufizuara profesionale të disa prej anëtarëve të saj që po dalin në pah shumë më shpejt nga sa pritej. Shteti do këllqe, aq më shumë shteti i së drejtës. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë para sprovës së këllqeve duke lënë pas faktin se kush loboi apo votoi për ta.