Sonte në mbrëmje, në orën 21:00, luhet një finale e parakohshme e Euro 2020, Belgjikë-Portugali. Bëhet fjalë për dy nga pesë vendet e para të botës në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s.
Belgjika, pasi fitoi fillimisht në Grupin I 10 takimet në fazën eliminatore me golaverazhin e jashtëzakonshëm 40-3, skuadra e drejtuar nga trajneri Roberto Martinez mposhti gjithashtu edhe në fazën hapëse të edicionit të 16 të kampionatit evropian, duke shënuar 7 gola dhe pësuar vetëm një.
Në dy sfidat e para ylli i ndeshjes u shpall Romelu Lukaku, ndërsa në takimin e tretë ndaj Finlandës një cmim të tillë e meritoi Kevin De Bruyne. 28-vjecari me origjinë nga Kongo konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë të këtij Evropiani dhe sulmuesi i Interit ka shënuar tre gola në tri ndeshjet e para të fazës së grupeve.
Do të mungojë Timothy Castagne, ndërsa në krahun tjetër pasi humbi përpara evropianit mbrojtësin Joao Cancelo, trajneri Fernando Santos ka me probleme dy mbrojtësit e tjerë Nelson Semedo e Nuno Mendes, por gjithashtu edhe mesfushorin Danilo Pereira.
Cristiano Ronaldo shënoi dy herë në portën hungareze në sfidën e parë, për të merituar edhe cmimin ylli i ndeshjes. Në takimin e dytë Portugalia u dominua në mënyrë të habitshme nga Gjermania dhe veterani Fernando Santos u shtrëngua për të kërkuar falje.
Në ndeshjen përmbyllëse të Grupit F portugezët zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë. Dy golat e shënuar nga Cristiano Ronaldo e ngjitën CR7 në krye të listës së golashënuesve, me 5 gola, për ta barazuar kështu futbollistin legjendar portugez me iranianin Ali Daei.
Portugalia merr pjesë për herë të tetë në një kompeticion të tillë, ndërsa Belgjika për herë të gjashtë. “Djajtë e Kuq” ia dolën për t’u kualifikuar me sukses për të pestën herë radhazi në fazën e knock out-it të një aktiviteti madhor, ndërsa në Evropian Belgjika krenohet me finalen e humbur në vitin 1980 në Itali, kur Gjermania Perëndimore triumfoi 2-1 falë golave të shënuar nga sulmuesi Horst Hrubesch.
Nga ana tjetër përfaqësuesja luzitane mund të kishte dy Kupa Henry Delaunay, por në vitin 2004 në Evropianin që zhvilluan vetë portugezët u mundën dy herë nga Greqia e Otto Rehhagel-it, një herë në fazën e grupeve dhe në rastin tjetër pikërisht në finalen e madhe të Lisbonës.