Para disa ditësh, tek ndiqja lajmet në njërën prej medieve tona elektronike, lexova në kuadratin e lajmeve, lart në cepin e djathtë të ekranit, diçka lidhur me institucionet e vuajtjes së dënimeve, diçka që më befasoi dhe që, rrjedhimisht, më zemëroi! Bëhet fjalë për dy shprehje krejt të pazakonta për syrin tim dhe, shpresoj, për syrin e atyre zonjave e zotërinjve që janë duke më lexuar në këtë çast. Lajmi në fjalë përmendte “burgun Jordan Misja” dhe “burgun Ali Demi”. Me siguri, këto dy burgje duhet të ndodhen, ma ha mendja, i pari në rrugën “Jordan Misja” dhe i dyti në atë “Ali Demi”, por mua m’u krijua përshtypja sikur këta dy burgje mbanin emrat e mbiemrat e dy prej heronjve të luftës nacionalçlirimtare të popullit tonë dhe kjo m’u duk jashtëzakonisht fyese!
Kush e mban përgjegjësinë për këtë? Formuluesi i lajmit? Përgjegjësi i redaksisë së informacionit? Apo, siç ndodh rëndom, zoti apo zonja Askushi? Mos vallë faji është thjesht i imi dhe i moshatarëve të mi, pra i atyre që ende kanë një kujtesë historike, atë të përpjekjeve të popullit shqiptar për të mbijetuar? Mos vallë vorbulla e globalizimit e konsideron si të dalë mode ndërgjegjen kombëtare të popujve në përgjithësi dhe atë të popullit tonë në veçanti? Apo bëhet fjalë për një lapsus calami të rëndomtë dhe unë po ia fus si kau pelës (Më falni për vulgaritetin popullor të kësaj shprehjeje) dhe po e bëj mizën buall duke e shfaqur faqe botës shqetësimin dhe zemëratën time lidhur me dukurinë në fjalë?
Me sa e ndiej dhe e përjetoj unë këtë “lapsus”, druaj se së shpejti do të vijë një ditë që jo vetëm emrat e heronjve tanë të luftës nacionalçlirimtare, por edhe ata të heronjve të vendosjes së demokracisë të vonuar në Shqipërinë e llahtarit të neveritshëm enverist, do t’u vihen burgjeve që do të përurohen gjatë viteve të ardhshëm, pra, lexueset dhe lexuesit e mi do të mund të lexojnë apo të dëgjojnë në emisionet e lajmeve se, për shembull, “nga burgu ‘Vojo Kushi’ është arratisur një i dënuar për vrasje”, se “në burgun ‘Misto Mame’ u zbulua një sasi kokaine”, se “në burgun ‘Vasil Shanto’ po bën grevën e urisë një i dënuar për përdhunime të miturash”, etj., etj. Nga ana tjetër, nuk është për t’u habitur sikur emri i Azem Hajdarit, njërit prej heronjve të demokracisë, t’i vihej një burgu të ardhshëm, sepse, me siguri që, pas një konsulte me ambasadoren amerikane ose me përfaqësuesin e BE-së, qeveria shqiptare do të shmangte kështu hatërmbetjet e kësaj apo asaj partie.
Gjithsesi, jam gati i bindur se pasardhësit e të gjithë heronjve të sapopërmendur nuk do të lumturoheshin kur të mësonin se emrat e heronjve të fisit të tyre u janë vënë këtij apo atij burgu. A nuk do të ishte turp për autoritetet shtetërore shqiptare sikur aleatët tanë amerikanë e europianë të mësonin që një ditë do të përurohet në Tiranë burgu “Ismail Qemali”, një ditë tjetër në Krujë burgu “Skënderbeu”, pas disa ditësh në Vlorë burgu “Selam Musai”, pas një jave në Përmet burgu “Vëllezërit Frashëri”, pas një muaji në Tropojë burgu “Bajram Curri”, pas dy muajsh në Gjirokastër burgu “Çerçiz Topulli” dhe kështu me radhë burgje të tjera në qytete të tjera me emrat e rilindësve tanë të vërtetë, atyre kuqezi!
Së fundi, më duhet të pranoj publikisht se një kureshtje po më gërryen përbrenda dhe unë tani do të këmbëngul që ta ndaj atë me lexueset e lexuesit e mi të përheshëm, por, pse jo, edhe me ato e ata të herëpashershëm: Po sikur të ndodhte mrekullia dhe të ngriheshin nga varri tërë ata, emrat e të cilëve do t’i mbanin një ditë burgjet e Shqipërisë mavi? A do të protestonin ata kur të shihnin emrat e tyre të “zbukuronin gëzueshëm” ballinat e burgjeve në fjalë? Ah, sa do të dëshiroja që ata të lumturoheshin, madje t’i nxisnin heronjtë e tashëm e të ardhshëm të shoqërisë sonë të mavijosur duke u rekomanduar, në formë amaneti sigurisht, brezave pasardhës pajisjen e çdo burgu shqiptar me një emër heroi ose personaliteti shqiptar kombëtarisht e ndëkombëtarisht të njohur, madje të famshëm!
Kështu, për shembull e në veçanti – meqë Shqipëria e pas 25 prillit 2021 do të jetë mavi, mavi, mavi, krejt mavi, vetëm mavi, përjetësisht mavi – më të denjët për një burg madhështor, do të ishte pa më të voglin dyshim apo ngurrim pikërisht emri e mbiemri i Edi Ramës, kryeministrit tonë të pavdekshëm. Logjikisht e natyrisht, vetëkuptohet që ky emër i lavdishëm nuk do t’i vihej kurrsesi një burgu të rëndomtë të mbushur me vjedhës, mashtrues, përdhunues e të tjerë kriminelë ordinerë të këllirtë, jo, aspak, përkundrazi: Emrin e mbiemrin në fjalë do të duhej detyrimisht ta mbante, siç sapo e përmenda, një burg madhështor ose, më saktë, një kompleks burgjesh shembullore të një niveli ndërkontinental, madje, pse jo, edhe ndërplanetar!