lQenësia e varfër, si gjendje shoqërore, nuk mund të bëj fajtor askënd në vendin tonë. Në Shqipëri është një gjendje normale, ku njeriut i duhet t’u mbijetojë kushteve të jetesës aspak normale, politikës, trashëgimisë, burokracisë me mentalitet të pandryshuar qysh prej dekadash dhe një shteti të padrejtë në thelb, paçka ndryshimeve demokratike.
Ne vritemi, nëpërkëmbemi, aksidentohemi, përqeshemi, tallemi në një vend ku rregullat normale janë të vështira për t’u zbatuar sepse ende shoqëria shqiptare, megjithëse beson se ka ecur përpara, mbetet ende në stade modeste zhvillimi.
Nëse shikohet më qartë flasin për lirinë, ata qytetarë që nuk e njohin konceptin për lirinë, sakrificën për të, respektin e të tjerëve dhe mbi të gjitha kultivimin e saj. “Të jesh i lirë nuk do të thotë thjesht të heqësh zinxhirët, por të jetosh në një mënyrë që e respekton dhe e përmirëson më tej lirinë e të tjerëve“, shprehej Nelson Mandela, njeriu që e tregoi në të gjallë kuptimin e lirisë.
Por, Hannah Arendt, disfatën e lirisë e shpjegon me problemin e varfërisë. E kjo i shkon shumë rastit të Shqipërisë. “Idealet e të varfrit janë bollëku dhe konsumi i pafund; ato janë mirazhi në shkretëtirën e mjerimit. Në këtë kuptim, begatia dhe skamja thjesht përbëjnë dy anët e së njëjtës medalje; vargonjtë e domosdoshmërisë nuk ka pse të jenë patjetër prej hekuri, mund të jenë dhe prej mëndafshi. Liria dhe luksi janë konsideruar gjithnjë si të papajtueshme, ndërsa interpretimi modern, sipas të cilit ngulmimi i Etërve Themelues te përkorja dhe te ‘thjeshtësia e të sjellurit’ (Jefferson) është i qortueshëm si përbuzje puritane ndaj kënaqësive të jetës, dëshmon një paaftësi për të kuptuar lirinë, e jo një liri për paragjykimet”.
Dhe, realisht Shqipëria është një laborator i përkryer për të kuptuar mungesën e sensit të lirisë, apo sesi liria perceptohet sot tek ne: në vend që të respektosh nevojën dhe të lësh të tjerët në lirinë e tyre, seicili kërkon të bëjë“sipas dëshirës”. Qëllimi i njerëzve të cilët marrin pushtet në Shqipëri është si të rregullojnë qarqe, që nga ana e tyre përcjellin pushtet në ato që bëhen kasta të së ardhmes. Shndërrohen ligjet në parlament për interesa te dukshme, përçmohen fasha shoqërorë dhe mbi të gjitha kasta e atyre që kanë pushtet në vendin tonë nuk i bën dritë syri për asgjë dhe uzurpojnë deri qytete. Provo në Shkodër, Elbasan, Vlorë të jesh normal dhe i lirë në punën tënde, do të vi dikush që të tregojë vendin. Statistikat e vrasjeve i kemi të gjithë para syve.
Ligji 7501 pothuaj i zhveshi shqiptarët nga prona, duke i bërë më të përbuzur sesa pak vite më parë, kur po ai shtet ua bashkoi në një absurditet. U rrit çmimet dhe ua la barrën e taksave, ndërkohë që favorizon të pasurit e rinj, që askurrë nuk do ishin në gjendje ta justifikonin pasurinë e tyre. I kemi përballë, ndaj mos u rrekni për shembuj! Ashtu si Berisha pa iu dridhur syri do prodhonte një elitë gjysmake që nuk iu përgjigj vendit, por fare mirë xhepave të tyre, Rama nga ana tjetër po pasuron një pjesë tjetër dhe nuk e merr mundimin të krijojë instrumentet që shteti ta respektojë individin dhe lirinë e vërtetë.
“Njerëzit e varfër” të Hannah Arendt nuk janë medoemos të varfrit ata që janë në shkallaren e parë dhe të dytë të Piramidës së Maslow, por një pjesë e tyre “dëshirat e të cilëve u është hequr çdo kufi”. Ndaj vritesh për një të pame, shezllongje, parkim, dyqane në vendin tonë. “Janë ‘të varfër’ sepse lumturia që kërkojnë shprehet në nevojën e tyre për të pasur një numër gjithnjë e më të madh sendesh, dhe, prandaj, u përvidhet vazhdimisht për të mos arritur kurrë prej tyre”, na vjen në ndihmë Arendt.
Argumentin e të cilës e zbërthen edhe më qartë Bauman që thotë se: konsumatorët e lirë janë ‘të varfër’ dhe rrjedhimisht nuk kanë interes për ‘lirinë publike’. Këtë hapësirë, ashtu si e shpjegon sociologu i njohur, ata, e sprapsin sepse nuk u duhet. Po u afrove të karburantet e të fortëve, klubet, restorantet duhet të rrish sus, gjithçka është e tyre. Që kërkojnë e kërkojnë pafund. Edhe në një farë mënyre liria është ‘privilegj’ i tyre. Janë të panginjur dhe ne i ndihim me një dorë duke u lavdëruar makinat; duke ua ngritur kultet e vajzave pa ide, që kanë përbri, por me trupa të bukur që na përqeshin nga Dubai & so on; emisionet qesharake me audienca masive (një tjetër fatkeqësi); ngjitjen pa asnjë meritë në shkallët shoqërore dhe mënyrën sesi ata e perceptojnë lirinë në shoqërinë e konsumit.
Me pak fjalë, jemi rishtarë në demokraci dhe të panginjur, e për më tepër nuk ndryshojmë dot. Kjo është tragjedia moderne e shqiptarëve.