Nga Vlora, ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, njoftoi në fundjavë fillimin e vaksinimit për të gjithë personat mbi 18 vjeç. Por mundësia do të jetë e kufizuar, çka do të thotë se do të jenë vetëm dy ditë në dispozicion për vaksinimin e të rinjve, përkatësisht 29 dhe 30 qershor.
“Bazuar në rekomandimin e ekspertëve të ISHP, ne kemi vendosur, ashtu sikurse edhe në shumë vende në botë e kanë praktikuar, që e marta dhe e mërkura e ardhshme të jenë ditë vaksinimi të hapura. Pra, datat 29-30 qershor do të jenë ‘open days’ për vaksinimin e popullatës plus 18 vjeç”, tha Manastirliu. Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, vuri në dukje se vaksinimi i moshave më të reja është i rëndësishëm për shmangien e shpërthimeve epidemike të mundshme të variantit të ri Delta.
“Vaksinimi po ecën mjaft mirë. Kemi një mbulesë mjaft të mirë vaksinale, sidomos te personat mbi 70 vjeç, që është një grup mjaft i prekur nga pikëpamja e vdekshmërisë, kështu që është një element i mirë që ne pothuajse po arrijmë 70 për qind të kësaj grupmoshe, por edhe ato grupmoshat e tjera janë goxha mirë dhe prandaj ka rëndësi që ta ulim dhe më tepër grupmoshën, që të ndërgjegjësojmë dhe të rinjtë, sidomos me daljen e variantit Delta, që mund të prekë të rinjtë”, tha Bino.
APLIKIMET
Ministrja sqaroi se edhe në këtë rast, aplikimet do të bëhen në portalin e-albania. “Ne do të përdorim platformën e-albania, që të gjithë qytetarët që janë të interesuar për t’u vaksinuar, të mund të aplikojnë nga dita e diel dhe e hënë për të kërkuar për t’u vaksinuar dhe sistemi ealbania do të njoftojë vendin e vaksinimit, sipas qyteteve dhe do të jenë kryesisht qendrat e vaksinimit të përqendruar ato të cilat do realizojnë vaksinimet për ditët e hapura”, tha Manastirliu.
SITUATA
Lidhur me situatën e epidemisë në vend, në 24 orët e kaluara nuk është raportuar asnjë humbje jete si pasojë e COVID-19, ndërsa në Spitalin Infektiv gjendet i shtruar vetëm një pacient. Sa u takon rasteve të reja, të dielën janë raportuar vetëm 3 persona të infektuar nga më shumë se 2440 testime të kryera. “Në 24 orët e fundit janë kryer 2444 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19 tre qytetarë: 2 raste në Tiranë, 1 rast në Durrës. Aktualisht, janë 66 pacientë aktivë me COVID-19 në vend. Vetëm 1 pacient po merr trajtim spitalor të specializuar. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 8 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 129,990 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.