Presidentja e Komisionit Europian e konsideron si thelbësore, që takimi i ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, Von Der Leyen tha se mirëpret zotimin e tij për t’u angazhuar ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërsa thekson se perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, mbetet prioritet për komisionin.
“Ne presim të shohim një avancim më të shpejtë të Kosovës në rrugën e saj europiane dhe do të vazhdojmë ta mbështesim në reformat që ndihmojnë progresin”, u shpreh Ursula Von Der Leyen.
Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti, ku nuk pati dakordësi për asnjë nga çështjet e ngritura. Takimi i radhës është paralajmëruar për në fund të korrikut.
Më tej, në letrën e saj, presidentja e Komisionit Europian citohet të thotë se do të vazhdojnë të lobojnë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave.
Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011. Tre vite më parë Komisioni Evropian rekomandoi heqjen e regjimit të vizave, por vendimi mbeti peng në këshillin e ministrave.