Operacioni Ndërkombëtar i Monistorimit i ka dorëzuar prova të reja shtesë Komisionerit Publik për të ankimuar konfirmimin në detyrë të Elizabeta Imerajt.
Kujtojmë se ONM i rekomandoi ditë më parë Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës.
Rekomandimi i ONM-së erdhi ditën që KPK-ja publikoi vendimin e zbardhur për zonjën Imeraj, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtarë nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret.
Vendimi i tyre nuk përbën ndonjë surprizë, duke qenë se gjatë seancave në KPK, ata ngritën dyshime të forta ndaj saj dhe mes palëve pati një përplasje të fortë.
Në dokumentacionin dërguar Komisionervë publikë nënvizohet se “në gjykimin e ONM-së, vlerësimi i duhur i fakteve dhe rishqyrtimi i të dhënave dokumentare do të bëjë që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të rrëzojë vendimin e KPK-së dhe ta shkarkojë nga vazhdimi i mëtejshëm i detyrës”.
Pasi Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit paraqiti prova shtesë pranë Komisionerit Publik, vjen një reagim nga Drejtuesja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Elisabeta Imeraj.
Kjo e fundit është shprehur se do paraqiste kërkesën për t’u njohur me këto akte.
Mes të tjerash, ajo theksoi se mbështet një proces të drejtë dhe ligjor.
“Aktet shtesë të ONM – së, nuk më janë vënë në dispozicion për thuajse tre vjet hetime. Do paraqes kërkesë për t’u njohur me këto akte, dhe me pretendimet. Mbështes një proces të drejtë ligjor dhe pres një proces të drejtë ligjor”, tha Imeraj.