Të afërm të familjes Gushi në Fier, që u shua pas një aksidenti të rëndë, kanë protestuar me pankarta në duar në qendër të qytetit, duke kërkuar drejtësi mbi ngjarjen.
Nëna e Silvana Gushit, e cila ndërroi jetë, bashkë me bashkëshortin dhe dy vajzat e mitura tha se është e vrarë shpirtërisht.
“Erdhëm me këngë dhe nëna na priti në vaj”, “Hiqe këmbën nga gazi, mund të vdesë fëmija jot nesër”, “Na thoni ku janë gabuar cili ishte faji i tyre”, “Shpejtësia është thikë që pret jetë”, shkruhej në disa prej pankartave.
Të afërmit e të ndjerëve, thanë se familja e 22-vjeçarit Igli Madani që shkaktoi aksidentin ndërsa po drejtonte automjetin “Audi”, nuk u ka trokitur as në derë.
Nëna e Silvanës preku me fjalën e saj, duke u shprehur se është e helmuar dhe vrarë shpirtërisht, ndërsa kërkoi drejtësi për ngjarjen.
“Oh çfarë më bëre! Oh Zot. Preke atë fëmijë, ça më bere. 3 vajza dhe një djalë, ça më bere?! Ku janë vajzat e mia, ku është djali im. Jam vrarë shumë shpirtërisht. Bëj thirrje të gjithë popullit ngado që janë, nënave, baballarëve, ju lutem shumë për këta çuna që i lënë të bredhin vend e pa vend, që të marrim jetën e fëmijëve që i kemi rritur me halle. I lutem shumë qeverisë që të marrin masa, se 4 fëmijët sot po hanë dhe. Nëna ka 5 ditë që është helmuar dhe tërë jetën e helmuar. Më mbyllën derën e vajzës. Vajza ime erdhi tek prindërit me pushime, si gjithë emigrantët dhe i la kockat nga një fëmijë, i cili nuk është djalë i edukuar. Sepse ai djalë nuk e meriton që të jetë djalë nënë dhe babai pasi nëse është me norma, të vëri dorën në zemër dhe t’i thoshte kësaj nënë një llaf. Ka 5 ditë që më kanë vdekur fëmijët dhe nuk më kanë thënë një llaf”, tha nëna e të ndjerës.
Ndërsa kushërira e Silvanës u shpreh: “Përveç mesazhit që kemi për drejtësinë, unë jam mësuese dhe shikoj nxënësit e mi që pa patenta bredhin rrugëve me shpejtësi të madhe, dhe nënat i presin te pragu i shtëpisë deri në orën kur mund të kthehen, sepse nuk e dinë nëse do kthehen gjallë apo jo. Njerëz të pandërgjegjshëm lëvizin rrugëve sepse kërkojnë adrenalinë, por të shkojnë në det në lumë, jo të na marrin jetën”.