Mbi 25 mijë persona kanë aplikuar në portalin qeveritar e-albania për të marrë vaksinën anti-covid. Dje ka nisur në të gjithë vendin procesi i vaksinimit për personat mbi 18 vjeç.
Ky proces do të vijojë edhe përgjatë ditës së sotme, duke iu dhënë mundësinë e vaksinimit të gjithë atyre që kanë aplikuar. Çfarë është injektuar në masë ka qenë vaksina kineze Coronavax.
Për një pjesë të qytetarëve lloji i vaksinës nuk ka përbërë problem, por ndërkohë ka pasur edhe nga ata që janë larguar pa u vaksinuar kur iu është komunikuar që Pfizer aplikohet për kategori të veçanta.
Krahas këtyre dy vaksinave, në dispozicion ka qenë po ashtu vaksina ruse “Sputnik” dhe “Astra Zeneca”. Lidhur me situatën epidemiologjike, të martën është regjistruar vetëm një rast pozitiv me koronavirus nga më shumë se 3300 testime të kryera. Ndërkohë, ka zbritur në 56 numri i rasteve aktive në të gjithë vendin. Pozitiv është fakti që në 24 orët e kaluara nuk është raportuar asnjë humbje jete, ndërsa në Spitalin Infektiv gjendet i shtruar vetëm një pacient.
“Në 24 orët e fundit janë kryer 3348 testime, nga të cilat ka rezultuar pozitiv me Covid-19 1 qytetar në Tiranë. Aktualisht janë 56 pacientë aktivë me COVID-19 në vend. Vetëm 1 pacient po merr trajtim spitalor të specializuar. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 8 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,002 që nga fillimi i epidemisë”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë.