Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se nuk varet nga ai koha se kur mund të përmbyllet me marrëveshje dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Express.
Kurti ka thënë para gazetarëve në ndërtesën e Qeverisë se arritja e një marrëveshjeje finale ndërmjet dy vendeve varet nga Serbia. Ai përsëriti se prioritet i Qeverisë së tij nuk është dialogu me fqinjin verior.
“Se kur do të ketë marrëveshje me njohje të ndërsjellë – që për bindjen time nuk ka alternative – nuk varet prej meje, varet prej Serbisë. Ju po e vëreni se prioritet i yni është punësimi dhe drejtësia, meanxhimi i pandemisë”, tha ai.
Kryeministri deklaroi se dialogu nuk është çështje esenciale për shtetin dhe popullin e Kosovës.
“Kur na pyetni për dialogun ne përgjigjemi, por jeta jonë nuk është e varur nga njohja nga Serbia”, theksoi Kurti.
Shefi i Qeverisë tha se për 10 vjet, Kosova ka bërë shumë koncesione për ta marrë njohjen e Serbisë.
“10 vjet koncesione në Kosovë. Gjithmonë me idenë se në fund vjen pavarësia, përkatësisht njohja e Serbisë për pavarësinë e Kosovës. Çfarë të bëjmë tash me ato koncesione? Është mirë t’i pyesni tash ata që i bënë këto koncesione”, tha Kurti.