Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka numëruar arritjet sipas saj të Kuvendit gjatë legjislaturës 2017-2021.
Nga foltorja e Parlamentit, Spiropali përmendi si një nga rritjet, çlirimin e institucionit të presidentit nga një përdhosës recidivist të kushtetutës, siç tha ajo, teksa paralajmëroi konsultim të gjerë politik për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri.
FJALA E SPIROPALIT
Në këtë seancë të parafundit të kësaj legjislature, ndiej të bëj disa konsiderata nga kjo foltore. Ka qenë një privilegj bashkëpunimi me të gjithë ju kolegë dhe kolege të opozitës dhe shumicës, duke filluar nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, një personalitet i lartë, që në krye të këtij institucioni të lartë ka vënë në shërbim cilësitë e tij të rralla si maturinë, drejtësinë, paanshmërinë dhe ndjeshmërinë për interesin publik. Ne si qeveri dhe si shumicë në seancën e parë plenare të kësaj legjislature në shtator 2017 u zotuam të kalojmë paketa ligjore që thellojnë reformat ekonomike dhe politike. Me dy kryefjalë, reformë në drejtësi dhe reformë zgjedhore.
Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet ta forcojmë Shqipërinë politikisht dhe ekonomikisht, të rrisim mirëqenien e shqiptarëve, të garantojmë më shumë drejtësi shoqërore, ta afrojmë më tej Shqipërinë me aleatët tanë të mëdhenj BE dhe SHBA. Këto zotime kemi synuar t’i mbajmë dhe i kemi mbajtur në nivel të lartë. Kemi hedhur hapa të sigurt në kohë vështirësish dhe pengesash të mëdha, pasojat e pandemisë dhe tërmetit të 26 nëntorit, i përballuam të vendosur dhe të bindur për të mos lënë asnjë shqiptar nën mëshirën e fatit të keq.
Kjo legjislaturë, veçanërisht sesioni i parafundit, ishin vendimmarrës për përparimin e reformës në drejtësi dhe reformës zgjedhore. Ne ia mbërritëm të bëjmë funksionale Gjykatën Kushtetuese me 7 anëtarë, me kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, ashtu si kemi ngritur të gjitha institucionet e drejtësisë së re. Qeverisja e drejtësisë së re është pothuajse plotësisht funksionale, me pritshmëritë e plotësimeve në Gjykatën e Lartë që është sot në punë. Por rruga deri këtu nuk ka qenë fushë me lule, por një mal vështirësish. ndërtimi i organeve të reja të drejtësisë e ka bërë këtë legjislaturë nga më të rëndësishmet e tranzicionit.
Në mandatin e dytë qeverisës prioriteti ynë i patjetërsueshëm shteti i së drejtës. Një sistem drejtësie me këto tipare është parakusht i domosdoshëm për forcimin e shtetit, respektimin e të drejtave dhe lirive të individit, barazinë para ligjit etj. Në 2018 u zgjodhën anëtarët e KLGJ dhe KLP. Kuvendi po ashtu në 2019 dhe 2020 zgjodhi tre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar plotësisht detyrimin. Kuvendi zgjodhi ILD dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Në procesin legjislativ 2017-2021 bashkërisht miratuam paketën e dytë të ligjeve të reformës në sistemin e drejtësisë me 10 projektligje të kaluar, duke përmbyllur reformën më të rëndësishme.
Ne premtuam dhe punuam që reforma zgjedhore të miratohej. Më tepër se një sërë ndryshimesh ligjore në kodin zgjedhor synuam konsolidimin e një kulture politike demokratike duke i përfshirë të gjitha palët dhe përkundër situatës politike të paprecedentë të krijuar nga opozita që preferoi braktisjen e detyrës. Shqipërisë i dhamë një kod të ri zgjedhor, institucione dhe infrastrukturë zgjedhore të re. Nuk bëmë sa dëshiruam për depolitizimin zgjedhor, por bëmë sa mundëm në kushtet e një politizimi ekstrem të mjedisit shoqëror. Zgjedhjet u velrësuan nga asambleja parlamentare e Këshillit të Europës si më të mirat në periudhën pas tranzicionit.
Me 104 vota çliruam institucionin e Presidentit të Republikës nga një përdhosës recidivist i Kushtetutës dhe frymëzues i konfliktit politik. Tani kemi përpara detyrën të zhvillojmë një proces të hapur konsultimi të gjerë politik për zgjedhjen e afërt të presidentit të ri.
Ne ju besojmë institucioneve. Kuvendi do jetë për ne tempulli më i lartë i përfaqësimit.