MENU
klinika

Si do ndryshonte përbërja e Kuvendit me deputetë nga PD dhe PS?

Vendimi i Kushtetueses për hapjen 100% të listave/ Nga Majko e Kodheli, kush do të futej në Parlament

01.07.2021 - 11:47

Vetëm një javë pasi Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpërndau mandatet e deputetëve për legjislaturën e ardhshme, Gjykata Kushtetuese vendosi hapjen e listave 100%.

Nëse një vendim i tillë do të ishte marrë më herët, atëherë do të kishim një përbërje të Parlamentit ndryshe. Shqiptarët treguan se mund të reagojnë kur u jepet mundësia. Këtë provë ata e dhanë me votën preferenciale ndaj kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Megjithëse vullneti i tyre nuk u reflektua plotësisht për shkak të kufirit që vendosi Partia Socialiste në Kodin Zgjedhor, duke mos e lejuar 100% të hapur listën. Më poshtë do të gjeni dy tabela, një me deputetët e rinj që do të jenë në Parlamentin e ri në shtator të këtij viti dhe një tabelë me projeksionin se si do të ishte Parlamenti nëse listat do të ishin 100% të hapura, pra nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrezuar nenin në Kodin Zgjedhor që hap pjesërisht listën. Kështu, në qarkun e Tiranës nëse lista do të kishte qenë e hapur 100%, në shtator socialistët do të përfaqësoheshin edhe nga Pandeli Majko e Mimi Kodheli, të cilët tashmë nuk do të jenë në shtator. Edhe në Shkodër do të kishte ndryshime në listën e PS-së.

Aktualisht Ilir Beqaj, drejtuesi politik i PS-së në atë qark, mbeti jashtë Parlamentit, por nëse lista do të ishte 100% e hapur, atëherë Ilir Beqaj në shtator do të ulej sërish në një nga 140 karriget e deputetëve. Në qarkun e Korçës, Partia Socialiste fitoi 6 mandate deputetësh. Nëse lista do të ishte 100% e hapur, atëherë kandidatja e parë në listë dhe ministrja Xhaçka, e cila u rendit e 5-ta, nuk do të ulej në Parlamentin e ri. Dy vendet do të zëvendësoheshin nga kandidatët të renditur nga Partia Socialiste në numrin 8 dhe në numrin 11.

NDRYSHIMET NË RADHËT E PD

Edhe në kampin opozitar lista e kandidatëve që morën mandat do të pësonte ndryshime nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ishte më herët. Kështu, në qarkun e Tiranës nuk do të kishim deputetë aleatin Vangjel Dule apo Mesila Dodën nga radhët e aleatëve, por do të kishim Oriela Nebiajn, Petrit Dodajn apo Asllan Dogjanin, të cilët morën më shumë vota preferenciale.

Kandidatët më të votuar në qarkun e Durrësit janë dy individë të cilët janë poshtë listës fituese të PD-së. Në qarkun e Elbasanit nga lista e PD-së do të mbeteshin jashtë 2 kandidatë, Flutura Açka dhe Zheni Gjergji. Por të dyja qëndrojnë në listë për shkak të kuotës gjinore. Ndërsa drejtuesi politik i PD-së në atë qark, Gazment Bardhi, renditet ndër kandidatët me më pak vota në radhët e të zgjedhurve. Luçiano Boçi, i cili ishte jashtë listës fituese të PD-së nëse listat do të ishin të hapura 100%, do të renditej i pari. Boçi do të ulet sërish në Parlament në shtator për shkak se theu herësin.

Në qarkun e Fierit nga lista e PD-së do të mbesnin jashtë dy kandidatë që tashmë e kanë fituar mandatin. Ndërkohë, kandidati me më shumë vota, Agron Kapllani, nuk do të ulet në Parlament edhe pse është më i votuari nga demokratët në Fier. E njëjta gjë ndodhi edhe në qarkun e Shkodrës. Bardh Spahiaj, i cili mori më shumë vota preferenciale, nuk do të ulet në Parlament për shkak se lista nuk ishte 100% e hapur siç vendosi dje Gjykata Kushtetuese.