MENU
klinika

Arkitekti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë

Ndahet nga jeta diplomati i njohur shqiptar

01.07.2021 - 19:59

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare diplomati i njohur shqiptar, Andon Berxholi.

Berxholi lindi me 4 maj të vitit 1935 në fshatin Këllëz, krahina Lunxheri, Gjirokastër. Ai i kreu studimet për Germanistik në Leipzig të Gjermanisë dhe Gjuhë Shqipe në Tiranë.

Berxholi, njihet si arkitekt i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale Gjermane. Në vitet ’80-të ka patur bashkëbisedime me Franz Josef Strauß dhe Hans Dietrich Genscher.

Ai ka qenë pjesëmarrës dhe organizator i bashkëbisedimeve me Anglinë për zgjidhjen e çështjes së kthimit të arit shqiptar.

Pas daljes në pension, Berxholi banonte me familjen e tij në afërsi të Bonit në Gjermani.

Për ndarjen nga jeta të tij, reagoi edhe Ambasada e RSH në Berlin, e cila përmes një shënimi në rrjetet sociale, i shpreh ngushëllimet e saj familjes dhe të afërmve të ambasadorit Andon Berxholi.

“Nderim e respekt për diplomatin dhe njeriun e përkushtuar!”, shkruan Ambasada RSH në Berlin.

Kujtojmë se; që nga viti 1964 deri 1992 Berxholi ka qenë kuadër i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë.

1965-1971 punonjës diplomatik në përfaqësinë shqiptare në Berlin.

1980-1989 drejtor drejtorie për Evropën Perëndimore në MPJ.

1989-1992 Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Bonn.