Anglia është favoritja e Euro 2020. Kalimi me sukses i Gjermanisë e bënë kombëtaren e Tre Luanëve me koeficientin më të ulët për të triumfuar në këtë kompeticion.
Kjo edhe për faktin se në çerekfinale dhe në rastin më të mirë në gjysmëfinale, anglezët do të përballen me skuadra të lehta në letër. Për këtë mjafton të shohim përbërjet e kombëtareve dhe vlerat e lojtarëve.
Kombëtarja e Anglisë vlen 1 miliardë e 260 milionë euro, duke pasur edhe futbollistin më të shtrenjtë pas largimit të Mbappe, Harry Kane me 120 milionë euro. Ndërsa Ukraina vlen 197 milionë euro, pra rreth 10 fish më pak. Futbollisti që kushton më shumë në radhët e lindorëve është Malinovskyi me 30 milionë euro, që luan në radhët e Atalantës së Serie A.
Një tjetër fakt interesant është se stoli i Anglisë vlen sa trefishi i gjithë të grumbulluarve të Shevchenkos në këtë Evropian. Mjafton të përmendin faktin se Tre Luanët kanë rezerva luksi si Jadon Sancho që kushton 100 milionë euro apo Marcus Rashford që vlen 85 milionë euro, shifra të publikuara nga Transfermarkt. Gjithsesi, në fushë nganjëherë gjithçka zerohet, siç ishte rasti i Francës, që u eliminua nga Zvicra.