Spanja është gjysmëfinalistja e parë e Euro 2020. Iberikët vuajtën shumë, por me penallti shkojnë më tej dhe tani duan të fitojnë trofeun. E pafat Zvicra, që e edhe me 10 vetë u mbajt për 120 minuta.
Spanja shënoi pas tetë minutash lojë. Një autogol, i dhjeti në Euro 2020. Alba gjuajti fort dhe një devijim i Zakaria-s, i cili bëri debutimin e tij si titullar me Zvicrën, bëri të mundur kalimin në avatzh të iberikëve.
Sfida u barazua në minutën e 68-të. Shaqiri realizoi për zviceranët, i treti për të në këtë Evropian. Futbollisti shqiptar përfitoi nga një gabim i mbrojtjes spanjolle dhe shënoi me lehtësi.
Në 77’ Freuler lë Zvicrën me 10 vetë pas një ndërhyrje të ashpër. Pritej reagimi i iberikëve, por ishte shumë i vakët. Zvicra mbrohet fort në fund dhe çon ndeshjen në shtesë, e dyta për të dy ekipet. Të dyja shtesat nuk podhojnë gola, pavarësisht se Spanja provoi pa fund.
Ndeshja shkon me penallti, e dyta për këtë Evropian dhe sërish Zvicra e provon një gjë të tillë pas Francës. Por kësaj radhe helvetët gabojnë shumë, 3 penallti të humbura, kundrejt 2 të spanjollëve. Shar, Akanji dhe Vargas humbën radhazi gjuajtjet e tyre. Spanja kalon në gjysmëfinale.