Zinovi Peshkov (Zinovy Peshkov) rridhte nga një familje e varfër pronvinciale hebreje, por falë dhuntive të lindura, pati një karrierë të shkëlqyer, madje u bë mik me Sharl de Golin. Zinovi ishte djali i një zanatçiu të Nizhny Novgorod, i cili arriti të bëhej komandant i ushtrisë franceze dhe diplomat. /Konica.al/Ishte vëllai i revolucionarit të famshëm Jakov Sverdlov (Yakov Sverdlov), por një antibolshevik i flaktë. I arsimuar në një shkollë famullie provinciale, i cili bashkëbisedoi me shkrimtarë të mëdhenj, udhëheqës ushtarakë dhe politikanë të njohur. Peshkov kishte një histori jete të mahnitshme, me plot të përpjeta dhe të tatëpjeta të paparashikuara. Legjionar i ardhshëm francez dhe mik i Sharl de Golit, Zinovi Sverdlov lindi në 1884 në familjen e një zejtari. Shkrimtari i madh rus Maksim Gorki (emri i vërtetë Aleksei Peshkov) vinte nga i njëjti qytet. Gorki e njihte familjen Sverdlov dhe ishte veçanërisht i dhënë pas Zinovit, një fëmijë kureshtar dhe i gjallë. Shumë shpejt i riu iu bashkua rrethit të shkrimtarit, ku takoi jo pak intelektualë rebelë, ku zhvilloi i ngazëllyer idetë revolucionare, të cilat madje e futën në telashe me policinë. Thonë se pasi Zinovi u konvertua në Kishën Ortodokse Ruse, familja hebreje e braktisi dhe e birësoi Gorki, duke i dhënë të riut mbiemrin e tij. Zinovi kishte talent artistik, kishte zë të bukur dhe vesh muzike në përsosmëri, madje donte të bëhej muzikant profesionist. Sidoqoftë, jeta i mori një kthesë tjetër. Në moshën 20-vjeçare, Zinovi u largua nga Rusia në kërkim të aventurës dhe punës interesante. Një tjetër motiv ishte t’i shpëtonte vëzhgimit policor… Kanada, SHBA, Zelanda e Re… Jashtë vendit, Peshkov bëri punë të ndryshme. Provoi fatin edhe në biznes, por falimentoi. Suksesin e njohur teksa punoi në një shtëpi botuese ruse në SHBA, para se të udhëtonte në Francë, ku e gjeti veten të kapur në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Pa një pa dy, u regjistrua si vullnetar. Meqenëse, të huajt nuk lejoheshin në ushtrinë franceze, ai përfundoi në Legjionin e Huaj./Konica.al/ Në vitin 1915, në një sulm pranë Arras, Peshkov u plagos rëndë në krah. Dukej i pashpresë dhe rrezik e lanë në fushëbetejë, por e shpëtoi një toger i quajtur Sharl de Gol, i cili këmbënguli që i plagosuri të evakuohej nga fusha. Zinovi u dërgua më pas në spitalin amerikan në Neuilly. […]
Fillimisht, Zinovi dhe i vëllai, Jakov, u përfshinë në idetë revolucionare. Mirëpo, rrugët e jetës i vunë në anët e kundërta të barrikadave, duke i kthyer në armiq ideologjikë. Zinovi nuk e pranoi Revolucionin Bolshevik, me dhunën dhe shkatërrimin. Ndërkohë, Jakov u bë një nga udhëheqësit e Terrorit të Kuq, organizator i respresioneve ndaj kozakëve dhe një nga zyrtarët që qëndronin pas vendimit për të ekzekutuar familjen mbretërore. Jakov e mohoi publikisht të vëllanë, i cili ishte bërë një “agjent i Aleancës”. Në fillim të vitit 1919, Zinovi i dërgoi një telegram Jakovit: “Yashka, kur të marrim Moskën, së pari do varim Leninin, të dytin ty, për atë që i bëtë Rusisë!” Por Yashka nuk kishte shumë kohë për të jetuar: në mars 1919, ai vdiq nga gripi spanjoll, i cili asokohe u përhap me vrull në Rusi. Të paktën, ky ishte versioni zyrtar… Dihej që Lenini nuk i parapëlqente shumë rivalët e rrezikshëm.
Shkathtësia dhe dinakëria, lehtësia e vendosjes së kontakteve, talenti retorik dhe aftësia për t’i bindur njerëzit, nuk kaluan pa u vënë re në qarqe të caktuara në Francë. Kështu, e filloi karrierën diplomatike Peshkov. Ai rrahu mbarë vendin: shumë shpejt Zinovi u dërgua në misione shumë serioze dhe nganjëherë sekrete në vende të ndryshme. Gjatë Luftës Civile Ruse, Peshkov ishte anëtar i misionit diplomatik francez në vend. Mori pjesë aktive në përpjekjet për lehtësimin e urisë, duke rregulluar dërgesat e mallrave nga Le Havre dhe Marseja. Gjithashtu, ndihmoi bashkatdhetarë të shumtë të evakuoheshin nga Rusia e shkatërruar nga lufta. Misioni i ardhshëm ishte ushtarak. Peshkov udhëtoi për në Marok, ku iu caktua komanda e një kompanie. Shkrimtari Andre Maurois e përshkruan: “…Një nga ata komandantë, që dinte t’ua ngrinte moralin të përulurve dhe të poshtëruarve, duke i frymëzuar ata të bashkoheshin me detyrën që Legjioni i Huaj trashëgonte nga legjionet e Perandorisë Romake – detyrën e shërbimit të civilizimit. Kur Zinovi Peshkov flliste për Legjionin, i shkëlqenin sytë nga emocioni. Ai ishte apostull i kësaj feje”. Pavarësisht pikëpamjeve antibolshevike të Peshkovit, shërbimet e sigurimit francez e mbanin nën mbikëqyrje: fundja, i vëllai ishte një bolshevik me famë në Rusi, ndërsa babai ishte një shkrimtar i favorizuar nga regjimi sovjetik. Kjo ngjalli shumë dyshime. […] Në vitin 1940, Zinovi refuzoi të shërbente nën komandën e nazistëve, si rrjedhojë u arrestua dhe u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake. Por edhe këtë herë, e shpëtoi sërish talenti prej diplomati dhe përvoja luftarake në vendet e nxehta: arriti ta bindte rojën, të shkëmbente orën e artë që Maksim Gorki i kishte dhuruar për një granatë, mori peng komandantin, rrëmbeu një aeroplan dhe fluturoi për t’iu bashkuar forcave të De Golit. Shoku i vjetër ia njihte mirë talentet Peshkovit dhe i besoi detyra serioze. Zinovi punoi në Afrikën e Jugut për të bindur autoritetet lokale të bashkoheshin me aleatët. Më pas, u bë shefi i misionit francez në Kinë dhe, më vonë, në Japoni. Së fundmi, u ngrit në rangun e ambasadorit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Zinovi Peshkov mori dekorata dhe nderime të shumta, duke u bërë gjeneral brigade i ushtrisë franceze. Doli në pension në vitin 1950, një oficer shumë i dekoruar, përfshirë një “Kryq të Madh të Legjionit të Nderit” dhe jetoi në Paris. Zinovi vdiq në moshën 82-vjeçare në Paris dhe u varros në varrezat në “Sainte-Genevieve-des-Bois”. Në ceremoni morën pjesë figura të shquara ushtarake dhe politikanë francezë. Në respket të amanetit, memoriali i tij mban vetëm një mbishkrim të thjeshtë: “Zinovy Peshkov, legjionar”./Konica.al