MENU
klinika

Synonte të rrëzonte Lukashenkon

Ryshfeti çon në burg kryeopozitarin bjellorus

07.07.2021 - 08:29

Një gjykatë në Bjellorusi dënoi të martën ish pretendentin presidencial Viktor Babariko me 14 vjet heqje lirie, nën akuzat për korrupsion.

Ekipi i zotit Babariko tha para vendimit se akuzat kundër klientit të tyre ishin sajuar për të penguar ambiciet e tij politike.

Viktor Babariko, ish-shefi i Belgazprombank, u arrestua qershorin e kaluar ndërsa po përpiqej të regjistrohej si kandidat kundër udhëheqësit veteran, Alexander Lukashenko për zgjedhjet presidenciale, të cilat sipas kritikëve dhe vëzhguesve, ishin manipuluar pasivisht.

Prokurorët kërkuan që Babariko, i cili ngulë këmbë në pafajësinë e tij, të dënohet me 15 vjet burg. Pasi që zoti Babariko u ndalua të kandidojë dhe u arrestua, Maria Kolesnikova, një nga aleatet e tij, bashkoi forcat me dy gra të tjera – Sviatlana Tsikhanouskaya dhe Veronika Tsepkalo, për të udhëhequr fushatën e opozitës.

Zonja Kolesnikova tani është e burgosur në Bjellorusi, Tsepkalo ka ikur jashtë vendit, dhe Tsikhanouskaya, që garoi kundër Lukashenkos. që atëherë është shfaqur si personaliteti më i shquar e opozitës në liri, po përpiqet të luftojë Lukashenkon nga Lituania fqinje.

“Është një dënim i çmendur për një njeri që vendosi të hyjë në politikë dhe u bë një nga udhëheqësit që e zgjuan vendin nga një gjumë i gjatë”, tha Sviatlana Tsikhanouskaya. “… Regjimi po bën gjithçka për të shuar çdo mendim që madje nga larg i ngjan besimit dhe shpresës. Por për Viktorin – si për mijëra njerëz të pafajshëm në burg – ajo që ka më shumë rëndësi është shpresa në zemrat tona”, tha ajo.

Ambasada amerikane në Minsk kritikoi vendimin. “Mashtrimi mizor i sistemit të gjykatave të Bjellorusisë është shfaqur sot … duke treguar se regjimi i Lukashenkos nuk do të ndalet nga asgjë për të mbajtur pushtetin”, shkroi ambasada në rrjetin twitter.

Autoritetet Bjelloruse shtypën protestat anti-qeveritare që shpërthyen pas zgjedhjeve, duke nxitur një valë sanksionesh perëndimore kundër Minskut.

Alexandar Lukashenko, i cili është në pushtet që nga viti 1994, mohon të ketë kryer mashtrime zgjedhore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti Meta reagon ashpër pas vendimit të mazhorancës për…

“Qeveria dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet modeli i neveritshëm Lukashenko”