Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës.
Për miratimin e kësaj Rezolute kanë votuar 89 vota deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Rezoluta e propozuar nga koalicioni boshnjak e kanë përkrahur të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
ndërkohë gjatë kohës kur filloi diskutimi për këtë pikë të rendit të ditës, Lista Serbe braktisi sallën e Kuvendit dhe u largua.
Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.
Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.