MENU
klinika

Ndërtimet pa leje, Rama kritika drejtuesve të policisë

“Arrestohen fshatarët për një avlli dhe lejohet betonizimi i zonave turistike”

08.07.2021 - 10:56

Ndërtimet pa leje dhe zaptimi i territoreve dhe mosndëshkueshmëria e tyre ishte një nga shqetësimet e ngritura nga kryeministri Edi Rama në takim me strukturat e Policisë së Shtetit.

Me tone të ashpra, ai deklaroi gjatë konferencës se Policia e Shtetit shkon dhe arreston persona në fshatra të thellë të Shqipërisë për një avlli ose vendosjen e një gardhi ndërkohë që persona të tjerë betonizojnë bregdetin apo zona të tjera përpara syve të këtyre strukturave.

Kreu i qeverisë thotë se kjo nodh për shkak se policia në këto raste është e përfshirë në akte korruptive ndaj i lejon. Rama i bën thirrje drejtuesve të policive vendore të mos harxhojnë më kohë dhe energji për të arrestuar fshatarët që rregullojnë avllitë.

“Nga ana tjetër, në këtë vit që kemi hyrë, me një llogari të thjeshtë është viti i disatë që shohim me keqardhje që policia e shtetit dhe drejtuesit vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit të shtetit për dekada, ndarja e policisë nga ky mision. Ne e kemi njehsuar këtë mision me policinë e shtetit. Në të gjitha aspektet e cënimit të pronës publike dhe mjedisit. Për cilën arsye në botë do të kemi akoma shfaqje sporadike të ndërtimeve pa leje. Korruptimi i policisë së shtetit. Bashkëpunimi në krim ndërkohë që në parlament në muajt e fundit ka kaluar një tjetër paketë përforëcuese e fuqisë së ligjit në raport me mbrojtjen e territorit. Kostot e ndërtimeve abusive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë asnjë cent për ato kostot.

Paramentrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacënueshmërisë së territorit nga ndërtimet pa leje duhet të jetë prioritet i palëvizshëm për çdo drejtues i policisë së shtetit. Raportin me territorin duhet t’i ketë si dy anët e të njëjtës medalje të punës së përditshme. Janë çuar për ndjekje penale fshatarë në zona të humbura për një avlli, gardh, një mur. Ndërkohë janë toleruar veprimtari kriminale të ndërtimit pa leje në zonat turistike, në zonat e mbrojtura natyrore arkeologjike dhe kështu me radhë. Megjithëse në mënyrë të përsëritur e kam nënvizuar dhe me drejtuesit vendor të policisë së shtetit që është e turpshme, është e frikshme dhe e pagëlltitshme që strukturat e policisë në territor të shpenzojnë energji dhe kilometra e kohë për të shkuar dhe për të futur në telashe dhe ndjekje penale fshatarë që rregullojnë avllitë ndërkohë që përpara syve të tyre, dhe bashkëpunimin e tyre në korrupsion, hidhet beton në pjesët më të bukura të trupit të vendit tonë.

Janë puçra me qelb në trupin e një bukurie si Shqipëria. Çfarë bën policia e Shtetit në këto kuadrate të ndara mes komisariateve, kthen sytë nga ana tjetër. Këtu nuk flitet për skena krimi ku në pak sekonda del një armë dhe ata që gjuajnë ikin me motor. Janë skena krimi me orë dhe netë të tëra. Është krim i përcaktuar si i tillë në Kodin Penal. Me dënime shumë të rënda dhe këto skena krimi zhvillohen në sytë e policëve që kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë. Këtu emri është korrupsion, nuk ka tjetër! Poshtërsi, bakshin, neveri, shëmti” – tha Rama.

Ndërkohë për ekspozimin e efektivëve të policisë të cilët janë përfshirë në veprimtari kriminale, Rama e ka cilësuar një fakt pozitiv.

“Unë nuk mund të hyjë tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin dhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë apo se dy palë futen në një konflitk që degjeneron në shkrehjen e karikatorëve në mes të natës. Nga ana tjetër nuk mund të ndahem nga opinion publik që policia e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie pas mesnatës që mbaron me plumba. Sot ne jemi përballë edhe disa faktesh të ekspozuara nga veprimtaria e policisë së shkuar jo të largët të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë por është domethënëse që të kuptojmë se nga çfarë duhet të mbrojmë dhe të parandalojmë në trupin e policisë së shtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN