MENU
klinika

Në Shqipëri, jo

Qytetarët e Kosovës do të zgjedhin vetë llojin e vaksinës

09.07.2021 - 18:41

Duke filluar nga java e ardhshme, qytetarët e Kosovës do të mund të zgjedhin vetë llojin e vaksinës COVID që duan të marrin.

Mediat kosovare raportojnë se ky vendim është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Aktualisht në vendin fqinj janë vetëm dy lloje të vaksinës, Pfizer dhe Astra Zeneca.

Ditën e djeshme Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit pasi sipas ekspertëve pritet një valë e tretë e pandemisë në sezonin e vjeshtës.

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka thënë Vitia.

Vitia ka folur edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin vaksinën AstraZeneca, por ka theksuar se vaksinat që përdor Kosova janë të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA).

Ai ka thënë se ky hezitim po vjen pasi individë të papërgjegjshëm me ose pa vetëdije po shkaktojnë dëme në shëndetin publik.

VAKSINIMI NË SHQIPËRI

Pavarësisht se në Shqipëri kemi disa lloje të vaksinave COVID, qytetarët ende nuk e kanë lirinë të zgjedhin se cilën prej tyre duhet të marrin.

Lloji i vaksinës është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë sipas një plani vaksinimi. Muajin e kaluar, në datat 28 dhe 29 qershor u hoq fasha e moshës për të marrë vaksinën COVID ku qytetarët mjafton të aplikonin dhe të merrnin dozën e parë. Kjo praktikë do të ndiqet edhe në muajt në vazhdim.