Malta do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të mbyllë kufijtë për këdo që nuk është i vaksinuar plotësisht ndaj koronavirusit. Vendimi është marrë pas rritjes së rasteve me Covid-19 në vend.
Vetëm qytetarët që kanë certifikatë vaksinimi britanike apo evropiane do të lejohen që të futen në vend, duke nisur nga 14 korriku, bëri të ditur ministri i shëndetësisë Chris Fearne, duke lënë të kuptohet se turistët amerikanë dhe të tjerët do të ndalohen.
“Ne do të jemi vendi i parë në Evropë që do të ndërmarrë këtë hap,” tha ai.
Malta është vlerësuar si një histori suksesi evropiane për fushatën e saj të vaksinimit, me 79% të popullatës së rritur aktualisht të vaksinuar plotësisht. Më parë, Maltën mund ta vizitonin edhe turistë nga pjesa tjetër e BE-së, SHBA-së dhe vendet e tjera që ishin të pajisur me një test negativ PCR ose që ishin të vaksinuar plotësisht.