Të njëjtën metodologji që ndoqi për të zgjedhur kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, Lulzim Basha do që të ndjekë edhe për të zgjedhur kandidatët për kryetarë bashkish.
Idenë e tij Basha e ka materializuar përmes disa propozimeve që i ka depozituar në Komisionin e Përhershëm të PD-së për ndryshimet statutore. Në draftin e depozituar pak ditë më parë, kryetari i PD-së kërkon që të normojë që duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme lokale e në vazhdim, kandidatët për kryetarë bashkish të caktohen sipas së njëjtës formulë që u ndoq edhe me kandidatët për deputetë për zgjedhjet që u zhvilluan këtë vit. “Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së.
Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organe ekzekutive të pushtetit vendor propozohen nga kryetari i partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar. Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH-së duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidatëve dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme.
Përjashtimisht për bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe miratohet nga kryetari i partisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 12 të draftpropozimit të Bashës. Ndërkohë, kandidatët për këshillin bashkiak i caktojnë kryesitë e degëve, por në çdo kohë kryesia e Partisë Demokratike mund të ndërhyjë kur është e domosdoshme. Modalitetet ekzakte për procesin i miraton kryesia e Partisë Demokratike para se të nisë procesi.
KOMISIONI I FILTRIMIT
Në qershor të vitit të kaluar, kryedemokrati Basha përzgjodhi disa funksionarë dhe ish-funksionarë në PD-së për të bërë përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Komisioni përbëhej nga 5 anëtarë: Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Enriketa Papa dhe Mark Marku. Por tashmë është më se e sigurt që i njëjti grup nuk mund të jetë bashkë edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin lokal. Bujar Nishani, kryetari aktual i Këshillit Kombëtar, tashmë që me shumë gjasë pas 17 korrikut nuk do të ketë më as postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar, qartazi ka një ndarje me kryedemokratin Basha.
Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare, Nishani u prononcua duke thënë se grupi ku ai bëri pjesë për përzgjedhjen e kandidatëve u ndie i tradhtuar. Ndërkohë, në zgjedhjet për kryetar të PD, Nishani mori pjesë në fushatë pa dhënë dorëheqjen, duke mbështetur kandidaturën e Edit Harxhit. Po kështu, edhe Besnik Mustafaj, pas zgjedhjeve u distancua dhe pati kritika për listën finale të kryedemokratit Basha.
Në këtë mënyrë, edhe Mustafaj përjashtohet si mundësi për të bërë seleksionimin e kandidaturave të ardhshme. Sakaq, në zgjedhjet e 25 prillit, Basha vuri në krye të listës së Lezhës një prej anëtarëve të komisionit të seleksionimit të kandidatëve të tjerë, Mark Markun. Në këtë mënyrë, edhe Mark Marku që do jetë në Parlament nuk mund të përzgjedhë kandidatët e ardhshëm. Nga ana tjetër, Genc Ruli, që prej përfundimit të mandatit të komisionit të selektimit, nuk është prononcuar më dhe nuk dihet nëse do të angazhohet sërish. E vetmja që ka dalë në mbështetje të Bashës edhe pas zgjedhjeve ka qenë profesoresha Enriketa Papa.
Këshilli Kombëtar jo vetëm voton, por edhe bën strategji
Kryetari i rikonfirmuar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, propozon që Këshilli Kombëtar të mos ketë vetëm forcën e votës. Në draftpropozimet e zbardhura nga gazeta “Panorama” për ndryshimet statutore, Basha synon që të angazhojë anëtarët e këshillit kombëtar edhe në departamentet e PD-së. Në bazë të formimit të tyre sipas propozimit të liderit të PD-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të angazhohen nëpër departamentet përkatëse të selisë blu për t’u përgatitur.
“Anëtarët e zgjedhur të Këshillit Kombëtar organizohen në departamente të Këshillit Kombëtar, që funksionojnë si strukturë këshillimore e kryesisë dhe kryetarit të PDSH-së për çështje tematike. Numri i departamenteve, fusha e veprimtarisë që mbulojnë drejtuesit si dhe ndarja anëtarëve në to, përcaktohen me vendim të Këshillit Kombëtar, me propozim të kryetarit të Partisë. Departamentet e Këshillit Kombëtar janë përgjegjëse për përgatitjen e platformave, opinioneve, strategjive dhe programeve sektoriale, të cilat shërbejnë për formulimin e programit elektoral, programit të qeverisjes dhe veprimtarinë politike të PDSH-së”, thuhet ndër të tjera në pikën 8 të nenit 44 të statutit që propozon Basha.