Komisioni Rregullator në KQZ shpalli në mbledhjen e sotme rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Partia Socialiste arriti që të fitonte 74 mandate, Partia Demokratike 59, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.
Në këto zgjedhje kryeministri Edi Rama arriti të fitojë mandatin e tretë, pas legjislaturës 2013-2017 dhe 2017-2021.
Opozita kundërshtoi rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkoi shpalljen e pavlefshme në disa qarqe, duke pretenduar se u vodhën votat, por këto ankesa u rrëzuan nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve, duke lënë kështu në fuqi fitoren e Partisë Socialiste.
“Shpallja e rezultatit u bë pas shpërndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore, si dhe në përfundim të procedurave ankimore dhe kalimit të afateve ligjore të ankimit në Kolegjin Zgjedhor. Vendimi për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Rregullator u miratua me tre vota pro dhe dy kundër”, thuhet në njoftimin e vendimit.